Mbyllet numërim i votave në 7 qarqe, PS fituese në 5 prej tyre. PD merr Lezhën dhe Kukësin

Teksa kanë mbetur edhe pak qendra votimi për t’u numëruar, ky proces ka përfunduar tashmë në 7 qarqe, konkretisht në Berat, Dibër, Lezhë, Korçë, Vlorë, Kukës dhe Gjirokastër. Partia Demokratike ka marrë shumicën e votave në qarqet Lezhë dhe Kukës, ndërsa PS rezulton fituese në 5 qarqet e tjera. Rezultatet e deritanishme bazohen në numërimin e votave brenda vendit, ndërsa ende vijon numërimi i votave të diasporës.
Qarku Dibër
Në qarkun e Dibrës, PS ka marrë 32.146 vota, ose 56.19%, përkthyer në 3 mandate, duke marrë një më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021. Koalicioni PD-ASHM ka humbur një mandat në raport me vitin 2021, teksa ka marrë në total 21.790, ose 38.09%, përkthyer në 2 mandate.
Partia Socialdemokrate ka marrë në këtë qark 1.315 vota, ose 2.30%, ndërsa Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 666 vota, ose 1.16%. të dyja nuk marrin asnjë mandat në këtë qark.
Qarku Berat
PS ka marrë 36.863 vota, ose 57.64%, duke ruajtur 5 mandate. Koalicioni PD-ASHM ka marrë 19.486 vota, ose 30.47%, duke ruajtur 2 mandatet e vitit 2021. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë në këtë qark 4.555 vota, ose 7.12%, ndërsa 1.359 vota, ose 2.12% ka marrë Partia Mundësia, por asnjëra nuk siguroi mandate deputeti.
Qarku Lezhë
Koalicioni PD-ASHM rezulton fitues në këtë qark, duke siguruar 29,484 vota ose 45.13%, duke ruajtur 4 mandatet e marra edhe në vitin 2021. Partia Socialiste ka marrë 27,585 vota ose 42.23%, duke ruajtur 3 mandate në këtë qark. Megjithatë, mbetet ende për t’u përfunduar numërimi i votës së diasporës, e cila mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve. Sa i përket partive më të vogla, koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 3,614 vota ose 5.53%, ndërsa koalicioni “Euroatlantik” ka marrë 1,594 vota ose 2.44%, por asnjë prej këtyre subjekteve nuk ka arritur të sigurojë mandate në këtë fazë të numërimit.
Qarku Korçë
Partia Socialiste ka marrë në total 57.213 vota, ose 54.33%, duke ruajtur 6 mandatet e marra edhe në zgjedhjet e vitit 2021. PD-ASHM ka humbur një mandat, teksa ka marrë 36.405 vota, ose 34.57%, përkthyer në 4 mandate.
Në zgjedhjet e vitit 2021, ky qark kishte në total 11 mandate, ndërsa në këto zgjedhje humbi një mandat, duke kaluar në 10.
4.520 vota ka marrë Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, përkthyer në 4.29%, ndërsa PSD ka marrë 2.518 vota, ose 2.39%, por asnjëra nuk mundi të sigurojë mandat në këtë qark.
Qarku Vlorë
Partia Socialiste ka marrë në këtë qark 53.083 vota, ose 58.73%, përkthyer në 8 mandate, duke ruajtur të njëjtin rezultat si në zgjedhjet e 2021. Edhe PD ka ruajtur 4 mandatet e saj, teksa mori 24.094 vota, ose 26.66%. Partia Mundësia mori 4526 vota, ose 5.01%, Shqipëria Bëhet 4857 ose 5.37%, Lëvizja Bashkë mori 990 vota, ose 1.1% dhe PSD 1385, ose 1.83 %. Asnjëra nga këto parti nuk siguroi mandatet në këtë qark.
Qarku Kukës
Koalicioni PD-ASHM mori në këtë qark 18.934 vota, ose 52.95%, përkthyer në 2 mandate, duke ruajtur të njëjtin numër mandatesh si në zgjedhjet e 2021. Po ashtu edhe Partia Socialiste ka ruajtur mandatin e saj në Kukës, teksa mori në këto zgjedhje 10.970 vota, ose 30.68%. Partia Socialdemokrate mori në këtë qark 5.061 vota, ose 13.61%, por pa siguruar mandat.
Qarku Gjirokastër
Partia Socialiste ka marrë në këtë qark 24.457 vota, ose 62.23%, përkthyer në 3 mandate. Koalicioni PD-ASHM ka marrë 11.596 vota, ose 29.51%, duke ruajtur 1 mandat, sikurse edhe rezultati i zgjedhjeve të vitit 2021. Partia Socialdemokrate ka marrë 5.061 vota, ose 14.15%, por pa siguruar një mandat deputeti.