“Shkodra Elektronike” ngjitet sonte në skenën e Eurovizion. Mënyra si mund të votohet për “Zjerm”

“Shkodra Elektronike” ngjitet sonte

Na ndajnë vetëm pak orë nga nata e parë e Eurovision Song Contest 2025, që nis mbrëmjen e sotme, më 13 maj, në Bazel të Zvicrës.

Në këtë natë gjysmëfinale, Shqipëria përfaqësohet nga grupi “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”, të cilët do të ngjiten të dymbëdhjetët në skenë.

Kënga “Zjerm” është mirëpritur nga publiku evropian dhe ka fituar vëmendjen për stilin e saj unik dhe performancën elektrizuese.

Si mund të votoni për Shqipërinë?

Votimi për Eurovision 2025 mund të bëhet përmes telefonit, SMS, ose votimit online me pagesë në faqen zyrtare esc.vote.

Kur mund të votoni?

Në finalen e madhe, votimi do të hapet pak para se të interpretohet kënga e parë dhe do të qëndrojë e hapur deri afërsisht 40 minuta pas prezantimit të këngës së fundit.

Në gjysmëfinale, votimi do të hapet pasi të jetë interpretuar kënga e fundit dhe do të qëndrojë i hapur për rreth 18 minuta.

Metodat e votimit sipas vendeve

Shqipëria: Voto me SMS duke dërguar një mesazh në 54345 me kodin e këngës (01 deri në 15 në gjysmëfinale, 01 deri në 26 në finale). Çmimi për SMS: 120 ALL.

Italia, Lituania, Malta, Luksemburgu, Ukraina, Suedia, Zvicra, Australia etj.: Voto vetëm online në esc.vote.

Mbretëria e Bashkuar, Austria, Kroacia, Spanja, Serbia, Franca, Danimarka etj.: Voto përmes telefonit, SMS-së ose online në esc.vote.

Si funksionon platforma online esc.vote?

Faqja automatikisht përshtat metodën e votimit sipas vendndodhjes tuaj.

Mund të votoni deri në 20 herë për një këngë të vetme.

Çmimi për çdo votë ndryshon sipas vendit – për Shqipërinë është 120 ALL për SMS.

Votimi është i kufizuar në një transaksion për çdo periudhë votimi, edhe nëse nuk janë përdorur të gjitha 20 votat e mundshme.

Gjysmëfinalja e parë e Eurovizion 2025 do të mbahet në 13 maj, gjysmëfinalja e dytë në 15 maj si dhe finalja e madhe në 17 maj. Të treja netët e festivalit do të transmetohen ekskluzivisht në RTSH 1, Radio Tirana 1 si dhe RTSH Muzikë.