Trump mbërrin në Arabinë Saudite, udhëtimi i parë për mandatin e dytë

Presidenti Donald Trump ka mbërritur këtë të martë (13 maj) në Arabinë Saudite, duke nisur kështu turneun e parë të madh ndërkombëtar gjatë mandatit të tij të dytë.
Trump do të pritet nga udhëheqësi saudit, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, dhe më pas dyshja do të zhvillojnë një takim privat.
Presidenti amerikan do e kalojë ditën e sotme dhe një pjesë të ditës së nesërme në kryeqytetin Riad, përpara se të niset për të takuar aleatë të tjerë kryesorë në Gjirin Persik – Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kujtojmë se Trump e ka zhvilluar një udhëtim në Arabinë Sauditë në vitin 2017, në fillim të mandatit të tij të parë, kur priti një samit të madh të udhëheqësve nga e gjithë bota arabe dhe myslimane për të luftuar kundër terrorizmit dhe për t’iu kundërvënë Teheranit.
Pritet që në këtë udhëtim, presidenti amerikan të flasë për lëvizjen drejt një armëpushimi në Gaza.
Por presidenti, i cili e sheh veten si hartuesi më i mirë i marrëveshjeve në botë, është i përqendruar në mega-marrëveshje për të sjellë investime dhe vende pune në Amerikë.
Udhëheqësit më të lartë të biznesit dhe teknologjisë në SHBA janë me të, për të nënshkruar projekte me vlerë më shumë se 1 trilion dollarë.