VIP-at shqiptarë mbështesin Shkodra Elektronike dhe këngën “Zjerm” në Eurovision 2025

Në prag të nisjes së madhe të Eurovision Song Contest 2025, figura të njohura të showbiz-it shqiptar kanë mbështetur në rrjetet sociale këngën përfaqësuese “Zjerm” dhe grupin Shkodra Elektronike.
Artistë dhe personalitete të politikës kanë shprehur emocionin dhe mbështetjen e tyre për këtë këngë që ka për qëllim të sjellë një pjesë të kulturës dhe muzikës shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Elhaida Dani, një nga këngëtaret e njohura shqiptare njëherësh dhe Drejtoreshë Artistike e Festivalit ka ndarë emocionin e saj me ndjekësit, duke shkruar: “Sonte jemi të gjithë me Shkodra Elektronike në gjysmëfinalen e Eurovision-it! Votoni numrin 12 dhe tregoni fuqinë e muzikës shqiptare. Zëri i tyre përfaqëson kulturën tonë, krijimtarinë tonë dhe krenarinë tonë. Jam thellësisht mirënjohëse që ju zbulova gjatë Festivalit që pata nderin të drejtoja me ekipin tim, një dhuratë e vërtetë për vendin tonë. Shqipëri, Europë ta bëjmë këtë moment tonin!”

Po ashtu, Aurela Gace ka shprehur mbështetje të hapur për këngën dhe grupin: “Ju ftoj të mbështesim Shkodra Elektronike dhe ‘ZJERM’, përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovizion. Këtu keni mënyrën se si mund të votohet nga shtetet ku ndodheni. Më lejoni t’ju them se personalisht më pëlqen shumë kënga që flet shqip me elementë modernë, paraqitja unike e artistëve tanë më jep atë energjinë e njerëzve që shijojnë e duan atë që bëjnë.”, shkruan Aurela Gace.

Këngëtarja Jonida Maliqi ka ndarë një mesazh të veçantë, duke theksuar emocionet që ka përjetuar kur ka qenë vetë në skenë: “Para gjashtë vitesh zjarrin e asaj skene e ndjeva në çdo qelizë, në çdo tingull, në çdo rrahje zemre. Sot, një tjetër flakë po ngjitet në atë skenë duke sjellë zërin e pastër të artit dhe origjinalitetit shqiptar. Le të bëhemi bashkë, të ndezim këtë zjarr dhe ta mbështesim me gjithë fuqinë tonë. Votojmë nr. 12 për artin, për zërin, për zjarrin tonë!”, ka shkruar ajo.
Përveç artistëve, edhe shumë personalitete të njohura të politikës shqiptare kanë shprehur mbështetje për grupin Shkodra Elektronike dhe këngën e tyre, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare. Për të gjithë ata që ndodhen jashtë vendit, janë dhënë udhëzime të thjeshta për të votuar dhe për të mbështetur artistët tanë në këtë garë të madhe.
Kënga “Zjerm”dhe grupi Shkodra Elektronike ka fituar zemrat e shumë evropianëve, por mbështetja që po merr nga vetë shqiptarët është shumë e madhe.
Gjysmëfinalja e parë e Eurovizion 2025 do të mbahet në 13 maj, gjysmëfinalja e dytë në 15 maj si dhe finalja e madhe në 17 maj. Të treja netët e festivalit do të transmetohen ekskluzivisht në RTSH 1, Radio Tirana 1 si dhe RTSH Muzikë.