“Shkodra Elektronike” zhvillon provën e parë në Basel, gati për skenën e madhe në Zvicër

Grupi përfaqësues i Shqipërisë në Eurovision 2025, “Shkodra Elektronike”, është ngjitur për herë të parë në skenën e madhe të Eurovizionit në Basel për të zhvilluar provën e parë skenike.
Gjithashtu për herë të parë artistët kanë prezantuar edhe veshjen e tyre skenike.
Një kombinim midis traditës dhe modernes, kostumet janë krijuar nga stilistja, njëherësh edhe e ëma e Beatriçes, Irina Dema në bashkëpunim me markën Tamel Clothes, duke reflektuar thelbin e identitetit modern shqiptar në një gjuhë universale artistike.
Dizajni unik bashkon elemente të veshjeve tradicionale shkodrane me forma moderne dhe materiale me shkëlqim metalik, të cilat ndriçojnë nën drita. Ato janë menduar për të reflektuar energjinë, historinë dhe vizionin e muzikës elektronike që përfaqëson grupi “Shkodra Elektronike”.
Puna skenike është realizuar nga Ombra World Studio në Londër, me drejtim artistik nga Lorenzo De Pasqualis, ndërsa dizajnet vizuale janë krijuar nga Emanuele Kabu. Ndriçimi nga Giorgio de Cassan si edhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës.

Dy artistët shqiptarë, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca me këngën e tyre “Zjerm” kanë rrëmbyer vëmendjen jo vetëm të publikut shqiptar, por edhe të atij ndërkombëtar duke u renditur në klasifikimet më të larta në disa prej sondazheve të organizuar nga fansat e Eurovizionit.
Eurovision Song Contest 2025 do të mbahet në Bazel të Zvicrës, Shqipëria do të garojë në gjysmëfinalen e parë në 13 maj e 12-ta në radhë, ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 17 maj.