Mjeshtri që edukoi brezat e rinj / Trashëgimia artistike e dirigjentit Kujtim Alija ruhet ende e gjallë

kujtim alija mjeshtri

Figura e dirigjentit dhe mjeshtrit të korit, Kujtim Alija, mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të formimit artistik të fëmijëve në Shkodër dhe përtej.

Si drejtues i korit të Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve, ai i dha ngjyrë, ritëm dhe emocion asaj skene që për dekada i dhuroi publikut shqiptar zëra të vegjël me shpirt të madh.

 Një nga trashëgimitë më të vyera të mjeshtrit Alija është krijimi i konkursit të zërave të rinj “Bilbilat”.

Këngëtarja Orjeta Kelaj, sot drejtuese e Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Shkodrës që mban emrin e tij, përfaqëson një ndër zërat që ka përjetuar drejtpërdrejt frymën e mjeshtrit Alija.

 Ajo është e vetmja artiste që ka interpretuar një këngë të tij në Festivalin Mbarëkombëtar të Fëmijëve me titullin domethënës “Në rrugën e dijes”.

Ndërsa brezit të ri i përket këngëtarja Ketlin Pjalmi, një nga artistet e dashura të Shkodrës, e cila vlerëson ndikimin e profesorit Alija jo vetëm si muzikant profesionist, por si një njeri që dinte të dhuronte këshilla me vlerë dhe të linte gjurmë të pashlyeshme në jetën e secilit nxënës.

Kujtim Alija nuk është më fizikisht mes nesh, por fryma e tij jeton në çdo koncert, në çdo zë të ri që kumbon me emocion në skenë dhe në çdo hap që arti për fëmijë hedh në Shkodrën që do ta kujtojë përherë me nderim dhe respekt.