Luleshtrydhe me pesticide nga Greqia, AKU bllokim importit deri në analizimin e plotë të sasive

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se për një sasi prej 52 kg luleshtrydhesh të importuara nga Greqia u zbatua procedura e dërgimit në datën 17 shkurt 2025 për analizim laboratorik dhe pas daljes së rezultatit AKU u angazhua nëpërmjet sistemit të gjurmueshmërisë për mbledhjen dhe tërheqjen nga tregu të kësaj sasie luleshtrydheje.
AKU njoftoi se në bazë të faturave të shitjes të paraqitura nga Operatori i Biznesit Ushqimor e gjithë sasia rezultonte e shitur. Menjëherë pas këtij rasti, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë vlerësim të riskut për këtë produkt dhe e ka kategorizuar me risk të lartë.
AKU thekson se, për këtë çështje është komunikuar me të gjitha Pikat e Inspektimit Kufitar, për mostrimin e 10 ngarkesave të njëpasnjëshme dhe bllokimin në kufi të çdo ngarkese me luleshtrydhe, deri në daljen e përgjigjes së analizave të çdo mostrimi për produktin që mund të vijojë të importohet nga Greqia.
“Synimi i urdhërimit për bllokime të tilla në PIK është që të pritet çdo rezultat analize e mostrimeve në të tilla raste. Në bazë të këtyre rezultateve do të përcaktohet nëse importet do të lejohen për tregtim brenda territorit shqiptar apo do të kthehen në vendin e origjinës.
Lidhur me prononcimin në media të tre rasteve për njoftimin e AKU-së nga sistemi RASFF, ju bëjmë të ditur se ka qenë AKU që ka njoftuar sistemin RASFF si pasojë e zbatimit me korrektësi të planeve të monitorimit dhe marrjes së mostrave, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në kufi (PIK)”, thekson AKU.
AKU vuri në dukje se për çdo rast të konstatuar (në treg apo në Pikat e Inspektimit Kufitar), të rezultuar jokonform kërkesave dhe standardeve me legjislacionin në fuqi për produkte të importit, njoftohet Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë – RASFF.