Liderët e Europës takim në Kiev, thirrje Rusisë për armëpushim pa kushte

Liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë janë pritur në Kiev nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një përpjekje të përbashkët për të nxitur një armëpushim në luftën Rusi-Ukrainë. Keir Starmer, Emmanuel Macron, Friedrich Merz dhe Donald Tusk zhvilluan bisedime me Zelensky dhe bënë homazhe për viktimat e luftës në memorialin e Sheshit të Pavarësisë.
Në një deklaratë të përbashkët pak para mbësrritjes së tyre në Kiev, liderët evropianë u shprehën të vendosur për të “shtuar presionin mbi makinën e luftës ruse” dhe konfirmuan gatishmërinë për të mbështetur bisedimet për paqe. Ata përsëritën thirrjen për një armëpushim të plotë dhe pa kushte 30-ditor, siç ishte propozuar më herët nga presidenti amerikan Donald Trump.
Vizita e përbashkët në Kiev shihet si një përgjigje simbolike ndaj pjesëmarrjes së mbi 20 liderëve botërorë në ceremonitë e Ditës së Fitores në Moskë, mes tyre edhe presidenti kinez Xi Jinping, të cilët u pritën një ditë më parë nga presidenti rus Vladimir Putin.
Nga ana tjetër, Kremlini përmes zëdhënësit Dmitry Peskov reagoi duke deklaruar se “armëpushimi është i mundur vetëm nëse ndalet furnizimi me armë për Ukrainën” dhe se “Ukraina nuk është ende e gatshme për negociata të menjëhershme”.
Liderët evropianë thanë se do të vazhdojnë të qëndrojnë në solidaritet me Ukrainën dhe të punojnë për një zgjidhje paqësore e të qëndrueshme të konfliktit.