Samiti i Komunitetit Politik Europian në 16 maj në Tiranë, ngrihet struktura ku do mbahen takimet e rëndësishme politike

samiti tr

Në Sheshin “Skënderbej” është ngritur platforma që do të presë afro 47 liderë të politikës evropiane në Samitin e Komunitetit Politik që do të mbahet më 16 maj.

Në strukturën drejtkëndore me dy kate, po punohet ende, ndërsa fasada e ngritur në zonën e parkut pranë monumentit në sheshin “Skenderbej” është e veshur nga të katërta anët e saj me pikturat e krijuara nga fëmijë në formë simbolike.

Godina e cila do të shërbejë si Shtëpia e Europës për dy ditë radhazi është kthyer në një atraksion edhe për numrin e madh të turistëve të cilët vizitojnë çdo ditë Tiranën.

Ndërtimi i strukturave akomoduese dhe konstruksioneve të përkohshme, do të shërbejnë për pritjen dhe zhvillimin e punimeve të nivelit të lartë të samitit, i cili do të bëjë bashkë 47 liderë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, por edhe vendet partnere.

Agjenda parashikon zhvillimin e bisedimeve në tre tryeza të rrumbullakëta me tematikë të nivelit të lartë.

E para tryezë do të fokusohet në sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Europës, duke trajtuar si çështjet urgjente të tilla si mbështetja për Ukrainën si dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse kolektive të Europës.

Tryeza e dytë do të shqyrtojë mënyrat për të rritur konkurrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike, ndërsa në një tjetër tryezë do të trajtohen dinamikat komplekse të emigracionit, lëvizshmërisë dhe fuqizimit të të rinjve.

Ky samit shihet si një mundësi për Shqipërinë, për të treguar angazhimin e saj për avancimin në procesin e integrimit dhe të forcimit të institucioneve demokratike.

Samiti i mëparshëm i Komunitetit Politik të Evropës u mbajt në Budapest më 7 nëntor, në drejtimin e presidentit hungarez, Viktor Orban.