Kurti: Vetëvendosje ka përgjegjësi të formojmë qeverinë, konstituimi i Kuvendit i takon të gjitha partive

Kurti vetevendosje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka komentuar situatën politike në Kosovë, ku tha se konstituimi i kuvendit është përgjegjësi e të gjitha subjekteve politike, ndërsa formimi i qeverisë është obligim i LVV që ka dalë për herë të tretë fituese në zgjedhje.

“Ne kemi përgjegjësi për ta formuar qeverinë, jo konstituimin e kuvendit, kjo është përgjegjësi e të gjitha partive. Kjo është hera e tretë që dalim të parët, e gjithë kjo me një qeverisje me mandat të plotë, që nga shpallja e pavarësisë. Nuk kemi krizë institucionale, por vakum kushtetues, organet e rendit veprojnë, ligjet zbatohen, vetëm kuvendi nuk është funksionalizuar. Gjithmonë qeveria del pasi të formohet Kuvendi, kurrë e kundërta”, tha Kurti.

Këto deklarata Kurit i bëri gjatë mbledhjes së 58-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku komentoi edhe kundërshtimin e opozitës për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit.

Kurti theksoi se Haxhiu mbetet kandidatura zyrtare e LVV-së dhe se partia ka unitet të plotë rreth saj.

“Ne nuk jemi bllokues, ne jemi propozues, dhe ne kemi propozimin tonë për kryetare, rezultati zgjedhor nuk mund të ndryshohet, zgjedhjet mund të përsëriten, e në atë rast LVV edhe mund të rritet”, tha Kurti.

Deputetët e Kosovës nuk kanë arritur ende dakordësinë për të konstituuar Kuvendin, ku PDK, LDK dhe AAK nuk pranojnë të votojnë emrin e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare.