Koreja e Veriut pranon dërgimin e trupave për të luftuar në Ukrainë përkrah Rusisë

Koreja e Veriut ka pranuar për herë të parë publikisht se ka dërguar trupa për të luftuar në anën e Rusisë kundër Ukrainës. Ushtria e Phenianit njoftoi se ushtarët e saj kishin kontribuar në “çlirimin e plotë” të rajonit kufitar Kursk.
Komisioni Qendror Ushtarak i Koresë së Veriut njoftoi se ushtarët e saj kishin luftuar krah për krah me forcat ruse për të mbrojtur atë që ata e quajtën “drejtësinë dhe miqësinë” mes dy shteteve.
“Operacionet për çlirimin e zonës së Kurskut për të zmbrapsur pushtimin aventuresk të Federatës Ruse nga autoritetet ukrainase u përfunduan me fitore”, tha Komisioni Qendror Ushtarak i Koresë së Veriut, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA.
Më herët Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Rusisë, Valery Gerasimov, vlerësoi “heroizmin” e trupave të Koresë së Veriut, një akt i parë publik i Rusisë që e pranon përfshirjen e ushtarëve koreanë. Edhe presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi dërgimin e trupave nga Koreja e Veriut duke i cilësuara ta si “heronj që mbrojtën atdheun tonë si të tyren”.
“Miqtë tanë koreanë vepruan nga një ndjenjë solidariteti, drejtësie dhe miqësie të vërtetë. Ne i kushtojmë nderim heroizmit, nivelit të lartë të stërvitjes speciale dhe vetëflijimit të ushtarëve koreanë, të cilët krah për krah me luftëtarët rusë, mbrojtën atdheun tonë si të tyren”, tha Putin.
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ,e ka cilësuar këtë angazhim si një akt solidariteti dhe nderimi për luftëtarët që luftojnë për “drejtësinë”, duke shpallur se do të ngrihet një monument për të kujtuar heroizmin e trupave të tij.
“Ata që luftuan për drejtësi janë të gjithë heronj dhe përfaqësues të nderit të atdheut”, tha Kim, duke shtuar se do të ngrihej një monument për të përkujtuar veprimet e trupave të tij.
Sipas raportimeve të inteligjencës perëndimore dhe burimeve ukrainase, rreth 12,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi, ndërkohë që Pheniani nuk e kishte konfirmuar asnjëherë prezencën e tyre deri tani. Ushtria e Koresë së Jugut gjithashtu raportoi se rreth 3,000 ushtarë të tjerë koreano-veriorë ishin dislokuar në Rusi për të zëvendësuar trupat e rëna.
Dërgimi i trupave të Koresë së Veriut në Ukrainë është pjesë e një marrëveshje të partneritetit strategjik mes Moskës dhe Phenianit, e nënshkruar vitin e kaluar, që ofron ndihmë të menjëhershme ushtarake në rast të sulmeve.