Ftesa e Kurtit për koalicion qeverisës, kreu i LDK-së, Abdixhiku: Do t’i kthejmë përgjigje në kohë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një prononcim për mediat, u shpreh se do ti kthejë përgjigje në kohë letrës që kreu i Vetëvendosjes i dërgoi të hënën duke i kërkuar bashkëpunim politik për ndërtimin e një koalicioni qeverisës.
“Kam marr një letër, do të kthej përgjigje në kohë. Më lejoni të shkoj në zyrë e ta shoh letrën njëherë, e më pas do të kthejë përgjigje. Nuk ka ndodhur asnjë diskutim, pasi ishim në drekë pune me deputetët. I lus edhe njerëzit tanë që gjendjen e tanishme ta trajtojnë pa arrogancë. Do të kemi një përgjigje zyrtare siç i takon një partie”, tha lideri i LDK-së.
Letra e Kurtit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i dërgoi një letër, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në të cilën ka kërkuar koalicion qeverisës.
“Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike. Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”, thuhet në letrën e Kurtit.
Në letrën e tij Kurti pranon se ka dallime mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, sa I përket në bindjeve politike dhe politikave qeverisëse, por koalicionet, sipas tij, “bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”.
Kurti thekson se LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001–2004 me PDK dhe AAK, në 2004–2007 me AAK, në 2008–2010 me PDK, në 2014–2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV.
“Mosmarrëveshjet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus, në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe”, shkruan Kurti në këtë letër.
Kurti, në letrën e tij shkruan se është i bindur se edhe votuesit e të dyja partive preferojnë një koalicion të tillë.
“Jam i bindur që edhe votuesit e LDK-së e sot preferojnë më së shumti koalicionin me LVV-në. Edhe votuesit e LVV-së e preferojnë po ashtu me së shumti koalicionin me LDK-në, pse të mos e bëjmë?”, ka pyetur Kurti.
Ai ka thënë se LVV-ja nuk është e interesuar për koalicion me PDK-në.
“Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë? Natyrisht që më së miri do të ishte të takohemi e t’i flasim dhe diskutojmë këto si politikan të pjekur që e kanë ardhmërinë e shtetit e përparimin shoqëror prioritet mbi çdo gjë”, përfundon letra e Kurti.