Mbi 5 muaj protesta-Studentët serbë kërkojnë shpërbërjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare

Studentët serbë kërkojnë

Pas më shumë se 5 muajsh protesta, studentët serbë kanë intensifikuar presionin e tyre, duke kërkuar konkretisht shpërbërjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ata kërkuan zbatimin e Nenit 109 të Kushtetutës, i cili mundëson shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kritikat ndaj qeverisë janë të ashpra, pasi autoritetet kanë refuzuar të marrin parasysh kërkesat e studentëve, pavarësisht protestave të vazhdueshme e paqësore që janë zhvilluar që nga dhjetori i vitit të kaluar.

“Edhe pas kaq shumë përpjekjesh paqësore, qeveria nuk ka treguar asnjë gatishmëri për të plotësuar kërkesat tona,” u shprehën ata në një postim në Twitter.

Ata nënvizuan se besojnë se vetëm përmes një zgjidhjeje demokratike mund të dalin nga kriza politike e tanishme.

Protestat, që fillimisht shpërthyen pas një aksidenti tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit që mori 16 jetë, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe paaftësisë të institucioneve shtetërore. Studentët, të mbështetur nga bllokada në universitete në mbarë Serbinë, kanë arritur të bëhen një nga sfidat më të mëdha që ka hasur administrata e Presidentit Aleksandar Vuçiç në një dekadë.

Në deklaratën e tyre, udhëheqësit studentorë theksuan se pasiguria dhe korrupsioni i thellë i institucioneve shtetërore janë bërë barrierat kryesore për një qeverisje të efektshme. “Korrupsioni është bërë një pengesë që e paralizon funksionimin e shtetit dhe e pengon zhvillimin e vendit,” thanë ata.