80 vjet që nga çlirimi i kampit nazist të përqendrimit të Bergen-Belsenit

Të mbijetuarit e Holokaustit i kërkuan sot njerëzimit të mos harrojnë atë që u ndodhi atyre, ndërsa Gjermania shënoi 80-vjetorin e çlirimit të kampit nazist të përqendrimit të Bergen-Belsenit.
Më shumë se 50 ish-të burgosur të kampit iu bashkuan politikanëve gjermanë dhe zëvendëskryeministres britanike Angela Rayner për një ceremoni në landin veriperëndimor të Saksonisë së Poshtme.
”Mesazhi im për të ardhmen është që secili prej nesh duhet të jetë vigjilent dhe aktiv në luftën kundër urrejtjes”, tha Mala Tribich, 94 vjeçe, e cila ka lindur në Poloni dhe është dërguar në Bergen-Belsen si fëmijë.
”Kjo përfshin antisemitizmin dhe racizmin kundër çdo grupi njerëzish”, shtoi ajo.
Më shumë se 50 000 njerëz vdiqën në kampin Bergen-Belsen, përfshirë shkrimtaren Anne Frank, e cila shkroi një ditar, i cili më vonë u botua si “Ditari i Anne Frank”, që u bë simbol i vuajtjeve të shkaktuara nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kur ushtritë perëndimore mbërritën në Bergen-Belsen më 15 prill 1945, ato gjetën të burgosur të sëmurë dhe mijëra kufoma të pavarrosura.