Votat e diasporës në Greqi, KAS shfuqizon vendimin e KQZ për numërimin e tyre më vete

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste për shfuqizimin e vendimit të KQZ për ndarjen e procesit të numërimit të votës së diasporës në Greqi më vete dhe ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për administrimin e zarfit “B”.
“KAS me shumicë votash vendosi pranimin e kërkesës ankimore të subjektit të PS, konstatimin e pavlefshmërisë absolute të KQZ për administrimin e zarfit “B”. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda 5 ditëve nga shpallja e tij”, deklaroi KAS.
KQZ vendosi në orët e para të mëngjesit të 12 majit për administrimin dhe vlerësimin e zarfeve “B”, pjesë e dokumentacionit të votimit nga jashtë, duke i ruajtur në një kuti të sigurt me vula sigurie dhe numrat përkatës.
Në nisje të mbledhjes, përfaqësuesja e PS-së në KQZ, Elena Xhina e cilësoi të pavlefshëm vendimin e KQZ-së dhe se binte ndesh me dispozitat e Kodit Zgjedhor.
“Ne ngremë pretendimin se në momentin që zarfet B vijnë dhe futen në kuti sigurie, është në proces administrimi. Ka gabuar që në titullimin apo fushën e veprimit të aktit.
Akti nuk është nxjerrë në përmbushje të dispozitave ligjore. Komisionerët në momentin që kanë marrë zarfet B, vetëm se kanë parë që kanë qenë nga shteti grek, kanë thënë e kontestojmë. Pa asnjë arsye, e provë konkrete.
Në rastin kur numëruesit ndërpresin procesin e numërimit pa arsye objektive, ky refuzim i çon ata drejt konsumimit të një vepre penale”, deklaroi Xhina.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Marash Logu, deklaroi se zarfet e shqiptarëve në Greqi janë shpërndarë, plotësuar e marrë në dorëzim në shkelje flagrante. Ai theksoi se në shtetin grek, është cenuar siguria që do duhej të ofronte procesi zgjedhor.
“Kemi paraqitur shqetësimet tona për mënyrën si janë shpërndarë, plotësuar e marrë në dorëzim zarfet zgjedhore që vijnë nga Shqipëria. Kemi paraqitur evidencat se cilat kanë qenë problematikat që kanë shoqëruar këtë proces. Problematikat kanë qenë publike. Në shtetin grek ka ndodhur shkelje flagrante e kontratës nga operatori i shërbimit postar i kontraktuar nga KQZ, pa marrë asnjë miratim. Ka nënkontraktuar operator të tjerë për të bërë shpërndarjen dhe marrjen në dorëzim të zarfeve me materiale zgjedhore. Në kontratë ishte e ndaluar marrja e nënkontraktorëve.
Ky proces në shtetin grek, ka cenuar sigurinë që duhej të ofronte procesi zgjedhor.
Kemi parë të shfaqet te zyrat e DHL në Greqi (Athinë, Selanik) drejtuesin politik të PS”, theksoi ai.
Pas deklaratave e pretendimeve të secilës palë, KAS u tërhoq për vendim, duke pranuar më pas kërkesën e Partisë Socialiste për shfuqizimin e vendimit të KQZ.