Kosovë- LDK refuzon koalicionin qeverisës me Albin Kurtin, Abdixhiku propozon qeveri tranzitore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka refuzuar ofertën e Albin Kurtit për koalicion me Vetëvendosjen dhe ka propozuar një qeveri tranzitore me të gjitha partitë shqiptare.
Në një deklaratë për mediat, ai tha se pas konsultimeve brenda partisë, koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje “vlerësohet i pamundur”.
“LDK-ja siç e dini, në zgjedhjet e 9 shkurtit ka garuar me një program të qartë dhe me qëndrime të qarta sa i takon bashkëpunimit politik. LDK-ja për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin 4 vjeçar të vendit, e kam fjalën për rrezikimin e aleancave strategjike të sigurisë nacionale, rrezikimin seriozë të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve të pavarura kushtetuese mos respektimin e vendimit të këtyre institucioneve dhe mbi të gjitha politarizimin e thellë shoqëror e ka vlerësuar të pa mundur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Abdixhiku.
Për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar, Abdixhiku ftoi të gjitha partitë parlamentare të takohen për të formuar një qeveri tranzitore. Sipas tij, kjo qeveri tranzitore do të funksionojë deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
“Në përputhje me këtë, LDK dhe unë si kryetari i saj, propozojmë nisjen e një procesi të ri politik dhe kjo zgjidhje kërkon edhe përgjegjshmëri edhe unitet, por mbi të gjitha kërkon vetëdije të lartë politike nacionale. LDK propozon nisjen e këtij procesi, fillimisht konsultativ me të gjitha partitë politike shqiptare me qëllim formimin e qeverisë nacionale të tranzicionit. LDK kërkon unitet gjithëshqiptar në këtë periudhë dhe formimin e qeverisë nacionale të tranzicionet, një qeveri me afat të caktuar deri në zgjedhjen e presidentit të ri”, deklaroi ai.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryetares së Parlamentit, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61. Partitë e tjera kanë refuzuar Haxhiun duke e konsideruar atë si figurë përçarëse.