Eurovision 2025, ceremonia e hapjes dhe parada në tapetin turkez

Në Bazel të Zvicrës është ndezur zyrtarisht atmosfera e Eurovision 2025. Ceremonia e hapjes dhe parada në tapetin turkez shënuan një nga momentet më të rëndësishme dhe më të shumëpritura të këtij edicioni.
Më 11 maj, festa më e madhe muzikore në Europë nisi zyrtarisht, duke bashkuar kulturat, emocionet dhe ngjyrat e 37 vendeve pjesëmarrëse në një paradë madhështore.
Parada nisi me udhëtimin e artistëve me tramvaj nëpër rrugët e qytetit, në një udhëtim simbolik që kulmoi në Messe Basel, me parakalimin në tapetin turkez.
Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse prezantuan stilin dhe identitetin e tyre artistik, duke kthyer paradën në një skenë të vërtetë mode dhe simbolike kulturore.
Ndër më të spikaturat, ishte padyshim edhe grupi “Shkodra Elektronike”. E veshur me një fustan të punuar me dorë nga nëna e saj, Irina Dema, Beatriçe solli në vëmendje trashëgiminë shqiptare përmes elementeve simbolikë që shoqëronin veshjen: nga motivet tradicionale, te një çantë e veçantë, një kuti bizhuterish që dikur i përkiste gjyshes së saj.
Tema e kostumografisë, e titulluar “Oda mikëpritëse e gjyshes”, përcolli një mesazh të fortë emocional dhe identitar, që tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Në zemër të qytetit zvicerian është hapur edhe Eurovision Village, që do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 17 maj, me aktivitete, muzikë live dhe transmetime direkte nga skena kryesore.
Ngjarja më e madhe e muzikës europiane po afron me natën e parë që do të jetë në 13 maj ndërsa Shqipëria do të performojë e 12-ta në radhë.
Eurovizion 2025 do të transmetohet ekskluzivisht në RTSH1, Radio Tirana 1 dhe RTSH Muzik.