Brdaric: Ishte një ndeshje e fortë – Daja: “Në Kupë nuk lejohen gabimet se eliminohesh. Do të provojmë në ndeshjen e kthimit”

Barazimi i arritur në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, midis Vllaznisë dhe Dinamos duket se i ka kënaqur të dyja skuadrat, por edhe trajnerët e tyre.
Trajneri i Vllaznisë, Thomas Bërdariç u shpreh se skuadra e tij lufton për të dy trofetë.
“Ishte një ndeshje shumë e fortë, me dy ekipe të mira në Shqipëri.
Për mendimin tim, kishim formacionin e duhur.
E dinim që momentet janë decisive.
Në pjesën e parë kishim fat që nuk pësuam një gol, në të dytën ishin ata dy herë që nuk pësuan. Ishte ndeshje e fortë dhe e mirë.
Në mënyrën taktike e dimë që kemi dy ndeshje, nuk donim të merrnim risk të madh dhe do provojmë gjithçka në ndeshjen e dytë. Luajtëm pa një numër 9, pasi mungonin Balaj dhe Mensah.
E dimë që nëse ekipi është i plotë, mund të fitojmë kundër tyre.
Deri tani luftojmë për të dyja kompeticionet. Kemi mundësi për të dy titujt”,- u shpreh Brdaric
Ndërsa trajneri i Dinamos, Ilir Daja, u shpreh:
“Në Shkodër dhe me Shkodrën luhet gjithmonë futboll.
Ambienti dhe tifozët kanë qejf lojë të hapur.
Gjithmonë bëhet një lojë e mirë. Sot ishte ndeshje që kemi bërë pjesë të parë goxha të mirë. Mund të shkonim drejt golit. Kishim probleme se Gudiabi ka hyrë me temperaturë. Po kujtoj se Itodo ka dy muaj që nuk luan. Dhe Aliji, sot në nxemje ka pasur probleme, ka luajtur me sforco. Me gjithë këto probleme që kemi, me gjithë rikuperimet që janë të rikuperuar, besoj se bëmë ndeshje të mirë në Shkodër, përballë Vllaznisë.
Vetë Kupa nuk të lë shumë të gabosh. Është me system eliminimi, përveç rezultatit duhet të jesh në ekuilibër. Nuk ka më mundësi nëse bën hap të gabuar. Ndryshonte me ndeshjet e tjera se është diçka tjetër me eliminim” .
