11 maji, Gonzato takim me Celibashin: BE s’ndërhyn në procese. SPAK ka besimin tonë në luftën ndaj krimeve zgjedhore

Në kuadër të organizimit të zgjedhjeve të 11 majit ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, ka zhvilluar në takim me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, ku në fokus të takimit ka qenë jo vetëm mbarëvajtja e procesit por edhe problematikat që janë hasur deri më tani.
Ambasadori Gonzato i cilësoi si zgjedhje të rëndësishme ato të 11 majit, pasi lidhen drejtpërdrejtë me procesin e integrimit të vendit në BE, ku Shqipëria synon të anëtarësohet brenda 2030. Teksa vlerësoi punën e bërë deri më tani nga KQZ, Gonzato shtoi se BE ka besim te SPAK për të luftuar krimet zgjedhore që garantojnë një proces me integritet dhe demokratik.
“Doja të kisha një përditësim të të dhënave dhe se si mund të vijonim bashkëpunimin dhe mbështetjen e KQZ-së për zhvillimin e zgjedhjeve. Gjithashtu edhe pas zgjedhjeve ne do të vijojmë të mbështesim financiarisht KQZ-në për të vijuar më punë fantastike që është bërë deri më sot. Ne kemi besim që ODIHR do të bëjë një punë të shkëlqyer dhe kemi besim në punë e SPAK për të luftuar krimin e organizuar. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është në zemër të negociatave. SPAK ka një detyrë të rëndësishme”, tha Gonzato.
Ambasadori Gonzato hodhi poshtë aludimet e disa mediave se BE ka ndërhyrë në raportin paraprak të OSBE/ODIHR duke kërkuar heqjen e emrave të personave të përfshirë në krime zgjedhore, përfshirë figura të botës së krimit dhe zyrtarë policie.
“Jam i shokuar nga lajmi. Bashkimi Europian as nuk ndërhyn dhe as nuk manipulon. Ne kemi besim që ODIHR do të bëjë një punë të shkëlqyer dhe kemi besim në punë e SPAK për të luftuar krimin e organizuar. BE është këtu për të mbështetur Shqipërinë, jo të ndërhyjmë në procese”, tha Gonzato.
Lidhur me votën e diasporës, ambasadori Gonzato tha se “KQZ ka bërë një punë të mirë dhe procesi ka qenë transparent ku të dhënat deri më tani janë të gjitha online”.
Edhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi u shpreh se ka komunikim të vazhdueshëm me SPAK lidhur me denoncimet apo informacionet që vijnë lidhur me krimet zgjedhore.
“Ishte një takim për të dhënë informacion për përgatitjen e zgjedhjeve deri tani. Ashtu sikur edhe ambasadori tha jemi në proces të vazhdueshëm bashkëpunimi me BE për procesin zgjedhjeve në tërësi. Shqipëria është në një moment të rëndësishëm të integrimit në BE dhe është e rëndësishme që institucionet publike që janë përgjegjëse për organizmin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe partitë politike të reflektojnë përgjegjësinë e tyre për të pasur zgjedhje me integritet. Kemi komunikim konkret me SPAK për problematika të ndryshme dhe denoncime të bëra për procesin zgjedhor. ODIHR është një arbitër i pranuar nga të gjitha palët për zgjedhjet në Shqipëri dhe çdo gjë që ato thonë për mua qëndron”, tha Celibashi.
Sa i përket denoncimeve online për votën e diasporës, Celibashi tha se DHL do t’i mbajë zarfet e votave që nuk tërhiqen apo shpërndahen deri më 8 maj.
“Në KQZ janë vetëm 7 votues që kanë deklaruar që se kanë marrë fletën e votimit. Dhe në total numri i problematikave në lidhje me zgjedhësit nga jashtë është 156. DHL ka detyrimin që të mbajë në zyrat e saj zarfe që s’kanë mundur tua dorëzojnë votuesve deri në 8 Maj”, tha Celibashi.