“Të shpëtosh një jetë… e ke në gjak” – Në fokusin e fushatës sensiblizuese, personat talasemikë

“Të shpëtosh një jetë… e ke në gjak”, kështu u emërtua dita sensibilizuese për dhurimin e gjakut, e zhvilluar në ambientet e Departamentit të Infermierisë, pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” këtë të enjte.
Aktiviteti i Dep. të Lëndëve Klinike dhe Paraklinike u organizua në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe klubet studentore.
Ai kishte si synim sensibilizimin e të rinjve për të kontribuar në shpëtimin e jetëve njerëzore.
Fokusi i fushatës së kësaj dite ishin personat që vuajnë nga Talasemia.
Aktiviteti, që shënon edhe 20-vjetorin e bashkëpunimit mes Kryqit të Kuq dhe universitetit, u shoqërua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Studentët dhe personeli akademik nuk munguan në këtë ditë.
Kjo fushatë është një nga dhjetëra nismat që zhvillohen çdo vit në Shkodër, në përpjekje për të krijuar rezerva të mjaftueshme gjaku në qendrat spitalore.