Shkodrani që i dha Jazz-in Shqipërisë/Gaspër Çurçia solli një frymë të re muzikore gjatë viteve të zymta të vendit

Shkodra është qyteti që i ka dhënë vendit jo vetëm zërat më të bukur, por edhe tingullin e parë të Jazz-it të pastër. Në mesin e atyre që e lëvruan ishte edhe një shpirt rebel si Gaspër Çurçia. Mjeshtër i orkestrimit dhe pionier i muzikës moderne shqiptare, Çurçia solli një tingull të ri në vitet e zymta ’60-’70. Truri krijues i Festivalit të 11-të, por edhe viktimë e tij, Gaci ishte njeriu që bashkoi Vaçe Zelën, Tish Dajinë dhe Jazz-in në një prej këngëve më të famshme shqiptare: “Natën Vonë”.
Në një intervistë për RTSH, muzikanti shkodran Qamil Gjyrezi evidenton cilësitë e Gac Çurçisë. Teksa improvizon fragmente të orkestrimeve të Çurçisë, Gjyrezi duket sikur rikthen atmosferën e asaj kohe kur tingulli ishte akt guximi.Jeta e Gacit ishte një solo Jazz-i e lindur në Shkodër, e dëgjuar në gjithë Shqipërinë, por e ndërprerë në mes nga paragjykimi dhe harresa. E megjithatë, ai vazhdon të frymëzojë, sepse tingulli i tij s’ka heshtur kurrë.