SHBA presion për mbarimin e luftës, Putin këmbëngul të mbajë rajonet e pushtuara nga Ukraina

Arritja e një marrëveshje për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës duket se nuk po bën progres dhe as po jepen sinjale pozitive se palët do të diskutojnë së shpejti për një armëpushim afatgjatë. Kjo situatë po krijon nervozizëm edhe te SHBA, si palë ndërmjetësuese për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare.
Gjatë bisedimeve në Kremlin, i dërguari i Trump, Steve Witkoff, u përpoq të bindte presidentin rus Vladimir Putin që Rusia duhet të binte dakord për një armëpushim që ndalon luftimet, por burimet për Bloomberg, thonë se “Putin këmbëngul që të mbajë nën zotërimin e tij rajonet e pushtuara në jug dhe në lindje të Ukrainë”.
Sipas Bloomberg, “negociatat kanë arritur në një bllokim për momentin dhe kërkohet kontakt i drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Trumpit për të bërë përparim të mëtejshëm”.
Presidenti Putin këmbëngul që Rusia duhet të marrë kontrollin e katër rajoneve të Ukrainës, Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, si pjesë e ndonjë marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës. Në 2022, Putin i shpalli këto 4 katër rajonet e Ukrainës pjesë “përgjithmonë” të Rusisë, pasi organizoi referendume në zonat e pushtuara nga trupat e tij disa muaj pas fillimit të luftës.
Pas takimit të Witkoff dhe Putin në Moskë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, James Heëitt tha se “Ne nuk komentojmë mbi diskutimet në vazhdim, por vazhdojmë të bëjmë përparim si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë për ta çuar këtë konflikt në një zgjidhje paqësore.”
Edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy shkroi më herët në X se Rusia duhet të ndërmarrë hapa të qartë për t’i dhënë fund luftës.
“Ne po identifikojmë saktësisht ato pika presioni që do ta shtyjnë Moskën drejt diplomacisë në mënyrën më efektive. Rusia duhet të ndërmarrë hapa të qartë për t’i dhënë fund luftës. Ne këmbëngulim që një armëpushim i plotë dhe pa kushte duhet të jetë hapi i parë. Rusia duhet ta bëjë këtë veprim”, shkroi Zelensky.
Mungesa e përparimit në negociata për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, ka bërë që SHBA të jap sinjale se mund të tërhiqen nga bisedimet nëse nuk arrihet një marrëveshje së shpejti.