Berisha mbyll takimin elektoral në Bajram Curri: Kemi projektin për t’i rikthyer Shqipërisë madhështinë e munguar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur takimin përmbyllës elektoral në ‘Bajram Curri’ ku ka deklaruar se do t’i rikthejë Tropojës madhështinë e munguar.
Berisha tha se Tropoja dhe Shqipëria po braktiset çdo ditë nga të djemtë dhe vajzat e reja. Për këtë arsye, sipas Berishës 11 maji do të jetë pëcaktues për fatin e shqiptarëve.
Ai adresoi akuza në drejtim të qeverisë së Edi Ramës ku theksoi se pushteti është i lidhur me krimin.
“Unë vij sot në Tropojën madhështore në një kohë kur, madhështia e Shqipërisë, madhështia e Tropojës ka bjerrur këto 12 vite, si rrallë ndonjëherë në historinë e saj. Vij sot, kur këtë tokë të bekuar me pasuri nga më të mëdha e braktisin çdo muaj djem dhe vajzat e saj, kështu braktisin dhe Shqipërinë.
Vij sot në Tropojë, kur pasuritë e saj nuk janë pasuri të banorëve të Tropojës. Kur taksat e tyre nuk shkojnë për rrogat dhe pensionet e tyre, për një jetë më të mirë për ta. Vij sot, kur vendi qeveriset nga konglomeratë të pushtetit me krimin.
Tropoja është vendi i njerëzve krenarë, është vendi i njerëzve atdhetarë. Por, vij sot tek ju, kur në Tiranë qeveris një person, një njeri, që bota e ka quajtur kryeministri më i mirë i Serbisë, pas Pashiqit. Pra, qeveris Shqipërinë dhe Tropojën një argat i Aleksandër Vuçiçit”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se Partia Demokratike vjen me një projekt të ri “me të cilin duam, këtë madhështi të bjerrur, ta rikthejmë në madhështinë e saj”
“Duam që, Tropoja dhe Shqipëria, banorët të Tropojës dhe mbarë Shqipërisë të jetojnë të lirë, me dinjitet, të mëkëmben çdo vit e më shumë. Pasuritë e tyre të kthehen në të mia për familjet, për qytetaret e Tropojës dhe të Shqipërisë.
Ne, vijmë sot këtu tek ju, si një forcë politike tradicionale e lidhur që vlerëson dhe beson në traditën tonë, dhe tradita jonë është familja, është trashëgimia më e virtytshme që kemi ne shqiptarët. Trashëgimia jonë është morali, virtyti”, theksoi Berisha.