Zyrë e përbashkët mediatike në Ulqin – RTSH, RTK dhe RTMZ thellojnë bashkëpunimin rajonal

zyre tv rtsh rtk

Një hap i rëndësishëm për bashkëpunim rajonal në fushën e medies dhe informimit publik, është nënshkruar në Ulqin memorandumi i bashkëpunimit mes Radio Televizionit të Malit të Zi, Radio Televizionit të Kosovës dhe Radio Televizionit Shqiptar.

Do e thellojmë bashkëpunimin e qëndrueshëm me Kosovën dhe Malin e Zi, edhe në organizimin e eventeve apo aktiviteteve që kanë si fokus promovimin e artit, kulturës dhe vlerave të vendeve tona,” tha Ervjola Osmanaj, drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë në RTSH.

Kryetari i komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, e vlerësoi projektin si një mundësi për promovimin e qytetit dhe forcimin e lidhjeve rajonale.

Ky është një hap i cili Ulqinin do ta bëjë një qendër të përbashkët rajonale, i cili sigurisht do të jetë në ndihmë të informimit,” tha z. Nimanbegu.

Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizioni të Malit të Zi, Boris Raoniq, e cilësoi hapjen e studios si një projekt unik në Europë, që do të sjellë përfitime për të gjithë qytetarët e rajonit.

Sot po hedhim një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të thellimit, bashkëpunimit dhe sigurimit të hapësirës për studion e re regjionale, e cila do të shfrytëzohet nga të tria televizionet publike të rajonit,” u shpreh drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi.

Një ndër pikat kyçe të marrëveshjes është hapja e një zyre të përbashkët mediatike në Ulqin, e cila do të shërbejë si një urë komunikimi mes tri vendeve. Kjo nismë synon të forcojë lidhjet kulturore mes komuniteteve shqiptare në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, si dhe të promovojë Ulqinin si një destinacion turistik dhe kulturor në nivel rajonal.