“Zyliha Miloti, aktorja e 1.000 roleve”- Dokumentari i RTSH për ikonën e humorit me regji nga Arian Çuliqi

zyli 100 role

Kinema “Republika” në Shkodër mirëpriti premierën e dokumentarit “Zyliha Miloti, aktorja e 1.000 roleve”. Dokumentari i prodhuar nga RTSH, u prit me entuziazëm nga publiku shkodran, i cili e mbushi sallën plot në këtë ngjarje të veçantë kulturore.

Për këtë dokumentar jemi bazuar tek marrëdhëniet e Zylit me partnerët, kolegët dhe me publikun, që i ka tepër të veçanta”, u shpreh regjisori dhe “Mjeshtri i Madh” Arian Çuliqi.

Shpresoj shumë që ky dokumentar të vijë tek ju ashtu si është realizuar, me shumë, shumë dashuri”, tha skenaristja Klodiana Shpendi.

Në këtë mbrëmje u bënë pjesë artistë të njohur, përfaqësues të institucioneve vendore dhe qytetarë, të cilët nderuan kontributin e jashtëzakonshëm të aktores Zyliha Miloti, me mbi 65 vite përkushtim ndaj artit skenik dhe ekranit.

Falënderoj Radio Televizionin Shqiptar. Respekt dhe mirënjohje për këtë televizion, i cili na bëri të njohur të gjithë artistëve shqiptarë”, u shpreh Miloti.

Përgjatë dokumentarit, publiku u përfshi në një udhëtim emocional mes roleve të shumta të artistes në skenë dhe kinematografi.

Kam pasur fatin që e kam pasur partnere mbi 35 vjet. Me pas’ partnere Zyliha Milotin është si një astmatik që e ka bombolën e oksigjenit këtu”, u shpreh aktori dhe “Mjeshtri i Madh” Besnik Çinari.

Me artin e saj ka bërë të kënaqen të gjithë spektatorët shqiptarë, të qeshin, ta duartrokasin”, tha aktori dhe “Nderi i Kombit” Bujar Kapexhiu.

Ajo thotë 1.000 skeçe, por unë mendoj që ka bërë ndoshta 2.000”, u shpreh aktorja dhe “Mjeshtrja e Madhe” Rita Gjeka.

Dokumentari “Zyliha Miloti, aktorja e 1.000 roleve” vjen si një dëshmi e gjallë e kontributit prej një jete të artistes në shërbim të humorit, teatrit dhe kulturës shqiptare.