Zogaj, fshati i qetësisë / Çdo vit e më shumë po zbulohet dhe preferohet nga turistët e huaj

zogaj fshati i qetesise

Në gjirin e liqenit të Shkodrës, vetëm pak kilometra larg qytetit, shtrihet Zogaj, një fshat piktoresk që gjithnjë e më shumë po kthehet në një destinacion turistik të kërkuar.

Me shtëpi karakteristike buzë ujit, natyrë të paprekur dhe një qetësi që të largon nga zhurma e përditshmërisë, Zogaj është kthyer në zgjedhjen ideale për pushues vendas dhe të huaj.

Peizazhi i mrekullueshëm, ku bashkohen qetësia e liqenit dhe gjelbërimi i malit të Taraboshit, ofron jo vetëm relaks, por edhe mundësi për eksplorim, shëtitje, not dhe udhëtime me varka.

 Bukuria e natyrës dhe mikpritja tradicionale kanë bërë që këtë verë, Zogaj të vizitohet nga turistë nga gjithë bota.

“Jemi nga Belgjika, është hera e parë që ne vizitojmë Shqipërinë dhe është hera jonë e parë këtu, sigurisht, dhe ne po e shijojmë vërtet.

Ajo dëshironte të shihte liqenin dhe këtu ka një pamje shumë të këndshme.

Siç e shihni, është shumë këndshëm dhe kjo është arsyeja.

Mendoj se është natyra dhe është shumë qetësi këtu, është kaq e bukur dhe e qetë. Ne kemi parë shumë zogj, peshq, specie të tjera dhe po, ishte diçka për të cilën po kërkonim për pushimet tona.

Do qëndrojmë këtu për disa ditë, rreth 5 ditë, dhe në Shqipëri në total 2 javë.

 Ndoshta do e mbanim sekret vetëm për vete, por mendoj që kur të kthehemi do flasim për këtë vend, sepse është vërtet i bukur dhe ne vërtet e shijuam këtu.

-Jam nga Kanadaja, Montreali, dhe po, në këtë vend do qëndrojmë dy ditë.

Liqeni, temperatura e liqenit, mali dhe njerëzit , është shumë bukur, është shumë i veçantë, por është shumë këndshëm.

Të notosh, perëndimi i shkëlqyer ishte shumë këndshëm dje”, – u shprehën turistët.

Infrastruktura rrugore sezonin e ardhshëm do jetë tërësisht e investuar në segmentin Shirokë–Zogaj, ndaj pritet të ndikojë direkt në rritjen e turizmit, duke e bërë zonën më të aksesueshme dhe tërheqëse për turizmin ditor dhe atë familjar.

Në Zogaj nuk ka ende hotele të mëdha, por turizmi është zhvilluar përmes bujtinave dhe dhomave të ofruara nga vetë banorët, duke ruajtur autenticitetin dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me jetën rurale shqiptare.

Me potencial të madh për zhvillim të qëndrueshëm turistik, Zogaj mbetet një zonë që duhet zbuluar dhe ruajtur , një thesar natyror e kulturor që i jep Shkodrës një dimension të ri në hartën turistike të Shqipërisë.