Zjarret në vend, Mbrojtja: Gjatë 24 orëve janë raportuar 52 vatra, 46 janë shuar
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 52 vatra zjarri në territorin e vendit, prej të cilave 46 vatra janë shuar plotësisht.
Katër vatra janë aktualisht në monitorim, ndërsa dy vatra vijojnë të jenë aktive.
Një nga vatrat e paizoluar ndodhet në zonën perëndimore të tunelit të Skërficës, në bashkinë Gjirokastër.
Për shkak të terrenit të thepisur dhe bimësisë së dendur, ndërhyrja nga toka është e pamundur.
Autoritetet bëjnë më dije se vatra po monitorohet nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë.
Ndërkohë, një vatër tjetër aktive është regjistruar në fshatin Spatharë, në bashkinë Skrapar, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe kullote.
Në vendngjarje ndodhen forca të shumta operacionale që po punojnë për të vënë situatën nën kontroll.
Autoritetet theksojnë se monitorimi dhe ndërhyrjet po vijojnë në mënyrë të koordinuar, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve në këto zona me risk të lartë.
Gjithashtu mësohet se katër vatra zjarri janë aktualisht nën vëzhgim në zona të ndryshme të vendit: në Parkun Kombëtar të Prespës, në fshatin Lajthizë të bashkisë Pustec, në fshatin Dishnicë të bashkisë Korçë, në fshatin Strelcë të bashkisë Maliq, si dhe në fshatin Veliq të bashkisë Tropojë.
Në operacionet e fundit janë angazhuar 52 automjete zjarrfikëse dhe 722 forca operacionale, si dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura që ndërhynë në dy zona të ndryshme.
Sipas IGJEUM, sot priten reshje të dobëta në shumicën e qarqeve, ndërsa niveli i rrezikut për zjarre në pyje mbetet i lartë në Elbasan, Fier, Berat dhe Korçë, dhe i moderuar në qarqet e tjera.
Nga Instituti i Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Durrës, dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit.
Gjithsesi, për sa u përket zjarreve në pyje sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Elbasan, Fier, Berat dhe Korçë, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rreziku “I MODERUAR”.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse për çdo vatër të dyshimtë.
