Zjarret në vend – 5 vatra ende aktive, situata më problematike në qarkun e Dibrës dhe Tiranës
Rritja e temperaturave ka bërë që në vend të aktivizohen disa vatra zjarri duke djegur sipërfaqe pyjore. Gjatë 24 orëve të fundit, vendi është përfshirë nga 22 vatra zjarri të lokalizuara në disa qarqe të Shqipërisë, nga të cilat 5 vijojnë të jenë ende aktive dhe një tjetër është nën monitorim.
Zjarret kanë prekur bashkitë Dibër, Bulqizë, Rrogozhinë, Kavajë, Vlorë, Himarë, Selenicë, Librazhd, Malësi e Madhe, Mallakastër dhe Mirditë.
Situata më problematike paraqitet në qarkun e Dibrës, ku zjarri në zonën “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, ka përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe livadh, ndërkohë që në Bulqizë, në malin e Peladhisë, flakët janë riaktivizuar dhe po përhapen drejt “Majës së Vlashës”. Për shkak të temperaturave të larta dhe erës, zjarri është zhvilluar në dy vatra, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e forcave të shërbimit zjarrfikës. Në një tjetër vatër, në fshatin Sinë e Sipërme të njësisë Arras në Dibër, zjarri ka përfshirë një pyll me dushk, ku deri tani janë djegur rreth 4 hektarë.
Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në qarkun e Tiranës, në bashkinë Rrogozhinë, ku zjarri i rënë që prej datës 10 korrik në fshatin Zambishë është përhapur në disa fshatra të tjerë. Kjo ka sjellë edhe ndërhyrjen me dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët ndihmuan në shuarjen e disa vatrave që rrezikonin banesat, ullishtet dhe pyjet me pisha. Në këtë operacion morën pjesë gjithsej 30 efektivë zjarrfikës të bashkisë Rrogozhinë me 6 automjete, 20 punonjës të shërbimeve bashkiake, 20 banorë të zonës dhe dy helikopterët ushtarakë. Deri tani janë djegur rreth 80-90 hektarë shkurre dhe ferra si dhe mbi 70 rrënjë ullinj të rinj dhe shekullorë.
Në qarkun e Fierit, në fshatin Drenovë të bashkisë Mallakastër, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, duke shkaktuar djegien e rreth 2.5 hektarëve dhe rreth 250 rrënjë ullinj. Edhe pse situata ishte vënë në kontroll, sot është riaktivizuar një vatër tjetër.
Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit, në zonën e njohur si “Mal Plak” në bashkinë Librazhd, po mbahet nën monitorim një vatër zjarri.
Ndër dëmet e tjera të shkaktuara, në bashkinë Malësi e Madhe janë djegur edhe tre objekte që shërbenin për mbajtjen e bagëtive të imta.
Në operacionet e zhvilluara për shuarjen e vatrave janë angazhuar gjithsej 25 automjete zjarrfikëse dhe 305 forca operacionale, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 30 efektivë, dy automjete zjarrfikëse dhe dy helikopterë.
