Zjarret në vend, 21 vatra të raportuara në 24 orët e fundit, 4 prej tyre ende aktive

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 4 vatra janë ende aktive.
Vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e: Elbasanit, Librazhdit, Prrenjasit, Vlorës, Finiqit, Tiranës, Kavajës, Lezhës, Kurbinit, Shkodrës, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe, Hasit, Devollit e Beratit.
Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 6 hektarë me bimësi.
Aktualisht mbeten aktive vatrat:
– Në vendgrumbullimin e mbetjeve, në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës. Gjatë ditës së djeshme u punua kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit.
– Aktive mbetet edhe vatra e zjarrit midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Situata sot është e qetë, por në monitorim.
– Një tjetër vatër aktive është ajonë fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë, në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Ditën e sotme, forcat operacionale, dhe me ndihmën e Helikopterit Cougar do të vazhdojnë punën për vënien nën kontroll të zjarrit.
– Aktive është edhe vatra e zjarrit në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, Bashkia Has, në një sipërfaqe me pyll pishe. Terreni i vështirë dhe era e mbajnë zjarrin aktiv. Forcat operacionale vazhdojnë punën dhe gjatë ditës së sotme.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 232 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 35 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues, dhe 1 traktor me zinxhirë, 1 grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit dhe 1 helikopter Cougar .
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” për zjarret pothuajse në të gjitha qarqet.
Në qarqet, Korçë dhe Vlorë pritet nivel rrezik “I MODERUAR” dhe lokalisht rrezik “I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: Korçë (Qendër), Vlorë (VeriQendër).
I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.