Zjarret- 58 vatra gjatë 24 orëve, vetëm 1 aktive. IGJEUM paralajmëron për rrezik të lartë në Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier

Zjarret

Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 58 vatra zjarri, nga të cilat vetëm një mbetet aktive. Në një përditësim lidhur me situatën, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se vijon të jetë aktiv zjarri në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe bimësi të përzier, në fshatin Markatomaj në Lezhë. Në vendngjarje kanë shkuar 4 automjete zjarrfikëse me personelin përkatës dhe banorë të zonës të cilët kanë punuar dhe izoluar vatrën e zjarrit mëngjesin e sotëm. Vijon puna për shuarjen për shuarjen e trungjeve brenda sipërfaqes së përshkuar nga zjarri, të cilët të ndihmuar nga era vetëndizen herë pas here.

Në qarkun e Beratit janë raportuar 5 vatra aktive, gjatë 24 orëve të fundit, të cilat janë arritur të neutralizohen. Edhe në qarkun e Gjirokastrës janë shuar 2 vatrat e raportuara gjatë orëve të fundit. Në qarkun e Fierit janë shuar të 8 vatrat e zjarrit të raportuara, kryesish në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi. Në qarkun e Elbasanit u arritën të neutralizohen 3 vatrat e zjarrit në sipërfaqe me bimësi në fshatin Petresh, Labinot Fushë dhe Kodër Bujaras. Në qarkun e Tiranës janë raportuar 12 vatra zjarri, në bashkitë Tiranë, Kavajë, Rogozhinë, të cilat kryesisht kanë qenë në sipërfaqe me bimësi. Të gjitha këto vatra janë neutralizuar. Një prej vatrave të zjarrit u raportua në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli”, në një dhomë në katin e katërt të godinës. Zjarri u shua brenda pak minutave, ndërsa pati vetëm dëme materiale. Në qarkun e Durrësit u raportuan 5 vatra zjarri, të cilat gjithashtu u izoluan nga forcat në terren. Nga 2 vatra u raportuan në qarqet Shkodër e Korçë dhe 3 vatra në Vlorë. Të gjitha janë neutralizuar.

Por si pasojë e këtyre zjarreve janë djegur rreth 32 ha sipërfaqe me bimësi, por edhe një sipërfaqe e kon siderueshme me lis, arra, dhe rrënjë ulliri.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 85 automjete zjarrfikëse, 557 forca operacionale, 1 automjet zjarrfikës me 5 efektivë dhe 1 helikopter nga Forcat e Armatosura.

Ndërkohë, sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEUM), për ditën e sotme pritet nivel rrezik “i lartë” në qarqet  Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rrezik “i moderuar”.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se të gjitha strukturat mbeten të angazhuara në monitorim të situatës.