Zjarr në  ish- fushën e druve / Digjen dy baraka të komunitetit Rom në Shkodër

zjarr barakat

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme përfshiu pasditen e së dielës lagjen e komunitetit rom në zonën e njohur si ish-Fusha e Drurëve në Tepe, Shkodër.

Flakët dogjën plotësisht dy baraka, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve zjarrfikëse bëri të mundur shpëtimin e disa banesave të tjera të improvizuara, të cilat ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit.

Ndërkohë, Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan një 40-vjeçar , pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetase 21 vjeçe, banuese në fshatin Mjedë, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Shkodër-Lezhë”, automjeti që drejtonte është përplasur me një automjet tjetër.

 Sakaq, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 34-vjeçar, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka goditur me grushte një 60- vjeçar, për motive të dobëta. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.