Zhgënjen Vllaznia, mundet nga Daugavpils
Vllaznia është mundur nga Daugavpils e Letonisë në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues në Conference League. Skuadra debutuese shënoi në minutën e 85-të golin e fitores, ndërkohë që shkodranët dominuan dhe humbën shumë raste, sidomos në pjesën e parë.
Vllaznia e ka nisur në mënyrë zhgënjyese aventurën në Conference League, teksa është mundur në “Elbasan Arena” nga Daugavpils e Letonisë, skuadër debutuese në Evropë. Goli i shënuar nga Valerijs Lizunovs në minutën e 85-të ishte i pari e njëherazi i dha fitoren e parë skuadrës së tij në kompeticionet evropiane.
Ndeshja në Elbasan nisi sipas parashikimeve, me Vllazninë menjëherë dominuese të territorit, por u desh të kalonte gjysma e pjesës së parë për të rrezikuar, kur Kruja gjuajti nga jashtë zonës, në minutën e 24-t, pas grushtimit të portierit, por topi kaloi mbi tra. Që nga ai moment presioni i Vllaznisë u rrit së tepërmi dhe rastet erdhën radhazi, aq sa goli dukej vetëm çështje kohe.
Në minutën e 29-të Dodaj ndalet nga portieri, pas pasimit nga Balaj. Në të 35-tën, sërish Dodaj del përballë portierit në zonë dhe gjuan, por Beks shpëton mrekullisht portën me këmbë. Tri minuta më pas dueli përsëritet dhe, edhe njëherë tjetër, Beks ndal Dodajn. Në minutën e 40-të, Dodaj preferon të pasojë brenda zonës dhe një mbrojtës e nxjerr jashtë duke rrezikuar autogolin.
Dominim i shkodranëve para pushimit, me raste të shumta kundrejt asnjë të letonezëve, dhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin vrull. Por pas dhjetë minutash lojë, ritmi i shkodranëve ra shumë, aksionet u bënë të ngadalta e nervoze, ndërsa Daugavpils duket e kënaqur. Letonezët nuk sulmojnë pavarësisht lodhjes së Vllaznisë, por pesë minuta para përfundimit godasin befasisht.
Krosim i lartë nga e djathta, brenda zonës nga e majta e sulmit Lizunovs e harkon topin me kokë në shtyllën e kundërt dhe Qarri sheh tundjen e rrjetës. Shkodranët nxitojnë të barazojnë dhe në minutën e 91-të gjuan Balaj, por mbi tra.
Në sekondat e fundit, pas një goditjeje nga këndi Gurishta gjuan me kokë dhe Beks bën pritjen e fundit. Vllaznia del e mundur nga beteja e parë, megjithatë lufta është ende e hapur.
Vllaznia-Daugavpils 0-1
Shënues: Lizunovs 85′
Mbyllet sfida në “Elbasan Arena”, Vllaznia ka pësuar një humbje 1-0 në ndeshjen e parë të Ligës së Konferencës përballë Daugavpils, gol i shënuar nga Lizunovs në minutën e 85-të.
85′ – Gol në “Elbasan Arena”, Daugavpils ka kaluar në avantazh përballë Vllaznisë me anë të Lizunovs.
83’ – Bekim Balaj shfaqet rrezikshëm me një diagonale të fortë, por portieri i letonezëve tregohet i pakalueshëm.
78’ – Yago tenton me një goditje nga distanca, por topi përfundon larg portës së mbrojtur nga Beks.
55’ – Qato lëshon një goditje të fortë, por ishte qëndrore, e kontrollueshme nga ana e portierit kundërshtar.
53’ – Në sken edhe njëherë Dodaj, por gjuajtja e tij nuk ka forcën e duhur për të rrezikuar portën kundërshtare.
Nis pjesa e dytë…
Mbyllet pjesa e parë në “Elbasan Arena” mes Vllaznisë dhe Daugavpils në barazim 0-0.
37’ – Edhe njëherë Dodaj në aksion, por portieri i letonezëve tregohet në lartësinë e duhur.
35’ – Aksioni më i rrezikshëm për Vllazninë ka për protagonist Dodajn, i cili në momentin e fundit është ndalur nga portieri Beks.
29’ – Një tjetër mundësi për Vllazninë, Balaj-Dodaj kombinimi që krijon një rast të rrezikshëm në zonën letoneze, por pa efikasitetin e duhur.
25’ – Kruja tenton me një gjuajtje nga distanca, por pa arritur të gjej kuadratin.
21’ – Yago zbret rrezikshëm nga e majta e sulmit kuqeblu, por në momentet e fundit ka ndërhyrë mbrojtja letoneze që ka dërguar topin në goditje këndi.
2’ – Vllaznia niset në një kundërsulm të shpejtë, me Qaton që i ka të gjitha mundësitë për të krijuar rrezikshmëri në zonën kundërshtare, por vonohet duke i dhënë mundësinë mbrojtjes të largojë topin.
Ka nisur sfida në “Elbasan Arena” mes Vllaznisë dhe Daugavpils, e vlefshme për raundin e parë të Ligës së Konferencës
Vllaznia-Daugavpils

