Zgjedhjet – Numërohen mbi 95% e votave, Kurti kryeson me 49.79%: Fitorja më e madhe në historinë e vendit
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka dalë forcë e para në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura të dielën.
Kryetari i LVV-së dhe kandidati për kryeministër, në një dalje për mediat, e konsideroi rezultatin “si fitorja më e madhja në historinë e vendit”.
“Më 9 shkurt sivjet fitoi LVV me partnerët, më 28 dhjetor 2025 filloi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit!”, tha Kurti në konferencë për media.
Kurti ftoi opozitën për bashkëpunim në Kuvendin e Kosovës.
“Në Kuvendin e legjislaturës së dhjetë po na pret Plani i Rritjes së BE-së në vlerë prej 880 milionë euro, prej të cilave 2/3 janë kredi, ndërkaq 1/3 grante dhe 3 marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 120 milionë euro. Pra, mbi 1 miliardë euro gjithsej. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet e mira që do t’i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve”, tha Kurti.
I pyetur rreth çështjes së presidentit të ri, që duhet të zgjidhet në prill të vitit të ardhshëm, Kurti tha se “është tepër herët të flasim tani për këtë çështje”, teksa tha se tani është koha për festë.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 49,79% apo 421.129 vota, PDK ka 21,18% apo 179,158 vota, LDK 13,77% apo 116,502 vota dhe AAK 5,74% apo 48,551 vota, Srpska Lista 3.87% apo 32 719 vota, Nisma Socialdemokrate 1.72% apo 14.513 vota.
