Zgjedhjet në Kosovë/ Voton politika, thirrje qytetarëve: Vendosni për të ardhmen tuaj

voton kurti

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë ka arritur në  8.27% deri në orën 11:00, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kandidatët për kryeministër të partive kryesore, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë ushtruar të drejtën e votës dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin dhe të votojnë për të ardhmen e vendit.

Në Mitrovicën e Veriut, një komunë me shumicë serbe, është vërejtur një shkuarje kolektive drejt vendvotimeve.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, votoi në Mitrovicën e Jugut rreth orës 10:00, duke u bërë thirrje qytetarëve që të votojnë sipas bindjeve dhe vullnetit të tyre.

Po ashtu, kandidati i LVV-së, Albin Kurti, votoi në Prishtinë dhe shprehu shpresën që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë sa më e lartë, pasi kjo do të ndikonte në cilësinë e zgjedhjeve dhe legjitimitetin e institucioneve të reja.

Edhe kandidati i LDK për kryeministër, Lumir Abdixhiku, votoi në Prishtinë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

“Shpresojmë që procesi i votimit të shkojë mbarë e mirë, le të fitojë populli i Kosovës”, tha ai.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjithashtu ka votuar dhe ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

Votimi ka nisur nga ora 07:00 dhe do të vazhdojë deri në 19:00, me 910 qendra votimi të hapura për 1.999.024 qytetarët që kanë të drejtë vote.

Në këtë garë marrin pjesë 24 subjekte politike, përfshirë 18 parti politike, tri koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.