Zgjedhjet e 11 majit, si mund të gjeni qendrën tuaj të votimit

kqz on line

Një ditë përpara se qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit, Radio Televizioni Shqiptar shpjegon për të gjithë qytetarët si të gjejnë qendrën e tyre të votimit.

Për të shmangur konfuzionin ditën e votimit, KQZ ka vënë në dispozicion online mënyrën se si qytetarët mund të zbulojnë lehtësisht qendrën e tyre të votimit.

Fillimisht qytetari duhet të hyjë në faqen e KQZ-së kqz.gov.al dhe më pas duhet të hyjë si Vizitorë. Në faqen e hapur qytetari duhet të klikojë Lista e Zgjedhësve Brenda Vendit, ku i jepen tre opsione për të zbuluar qendrën e votimit. E para është përmes kodit të qendrës së votimit, e dyta përmes numrit personal të ID dhe në fund mund të kërkojë me emër dhe mbiemër.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 19:00, ku të drejtë vote kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, prej të cilëve 114,642 do të votojnë për herë të parë.