Zgjedhja e Papës së ri, 133 kardinalë mblidhen në Vatikan për konklavë

zgjedhja e papes se ri

133 kardinalë të moshës mesatare 70 vjeç, dhe shumë prej të cilëve të zgjedhur nga i ndjeri Papa Françesku, do të votojnë për pasuesin e tij në konklavën që nis pasditen e së mërkurës.

Ndërsa shumë prej tyre janë nga Europa, veçanërisht Italia, ky numër është më pak se kur Françesku u zgjodh në krye të Kishës Katolike. Gjatë papatit të tij, Françesku pati emëruar kardinalë më së shumti nga periferitë e botës katolike.

Nga 252 kardinalë që përbëjnë kolegjin e kardinalëve, vetëm ata të moshës 80 vjeç mund të votojnë për papën e ri që del nga radhët e tyre.

117 prej kardinalëve të kolegjit nuk do të jenë të pranishëm në Kapelën Sistine, ndërsa dy të tjerë, të moshës nën 80 vjeç, kanë refuzuar të marrin pjesë për arsye shëndetësore.

I gjithë procesi i zgjedhjes së papës së ri zhvillohet me një procedurë tejet të fshehtë. 133 kardinalët, që mbërritën të hënën në Vatikan, këtë të martë nisën dorëzimin e celularëve dhe pajisjeve të tjera elektronike. Sinjali i telefonisë së lëvizshme, ndërkohë, do të të ndërpritet një orë e gjysmë para se kardinalët të mblidhen për konklavën në Kapelën Sistine, e cila do të izolohet plotësisht për të garantuar fshehtësinë e procesit.

Konklavat zakonisht zgjasin disa ditë, në disa raste edhe disa javë. I ndjeri Papa Françesku u zgjodh brenda dy ditëve.

Që një nga kandidatët të zgjidhet Papë duhet të marrë dy të tretat e votave. E ndërsa e gjithë bota do t’i ketë sytë nga Vatikani duke nisur nga e mërkura, disa nga kandidatët kryesorë për drejtimin e kishës katolike janë:

  • Pietro Parolin, 70 vjeç, nga Italia
  • Luis Antonio Gokim Tagle, 69 vjeç, nga Filipinet
  • Robert Prevost, 69 vjeç, nga SHBA
  • Peter Kodwo Appiah Turkson, 76 vjeç, nga Gana
  • Fridolin Ambongo Besungu, 65 vjeç, nga Kongo
  • Peter Erdo, 72 vjeç, nga Hungaria
  • Mario Grech, 68 vjeç, nga Malta
  • Matteo Zuppi, 69 vjeç, nga Italia
  • Joseph Tobin, 73 vjeç, nga SHBA
  • Angelo Scola, 83 vjeç, nga Italia
  • Reinhard Marx, 71 vjeç, nga Gjermania
  • Pierbattista Pizzaballa, 60 vjeç, nga Italia
  • Marc Ouellet, 80 vjeç, nga Kanadaja
  • Robert Sarah, 79 vjeç, nga Guinea
  • Jean-Marc Aveline, 66 vjeç, nga Franca
  • Charles Maung Bo, 76 vjeç, nga Mianmari
  • Michael Czerny, 78 vjeç, nga Kanadaja