Zgjedhja e Brahos në krye të SPAK, Gonzato: Mirëpresim bashkëpunimin

Gonzat

Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvi Gonzato ka përgëzuar prokurorin Klodian Brahon për zgjedhjen e tij në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Gonzato, i cili ishte i pranishëm në dëgjesat publike të katër kandidatëve për kreun e ri të SPAK, theksoi rëndësinë e procesit dhe rolin kyç që Prokuroria e PosaJme ka në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, një nga prioritetet kryesore për integrimin europian të vendit.

“Kemi ardhur këtu të tregojmë mbështetjen tonë për KLP, por edhe për të treguar interes në procedurën e emërimit. SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Është një nga kërkesat kyçe për në BE. Dje thamë që ajo që kërkojmë është një kryetar që do të vijojë punën e SPAK, dhe ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele pavarësie dhe integritet. Uroj z.Braho dhe mirëpresim bashkëpunimin me të në vijim”, u shpreh Gonzato.

Braho u zgjodh sot (11 dhjetor) me 7 vota nga KLP, ndërsa do të pasojë në këtë detyrë Altin Dumanin, mandati i të cilit përfundon më 18 dhjetor. Mandati i drejtuesit të SPAK është 3-vjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhjeje.