Zgjedhja e Avokatit të Popullit, Balla: Opozita nuk ka ekskluzivitet

c79c1249-8b93-41bf-b487-165213497204-696x464

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, u përfshi sot në një debat me përfaqësues të opozitës, në seancën e sotme plenare, lidhur me procedurën për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Ai iu përgjigj pretendimeve të opozitës se kandidatura e Besim Ndregjonit nuk po votohet për shkak se është propozuar nga ata.

Ministri Balla theksoi se, ndonëse në Kushtetutë nuk përcaktohet që Avokati i Popullit i takon opozitës, ka ekzistuar një rregull i pashkruar, i respektuar ndër vite, që i ka lënë asaj të drejtën për të propozuar kandidatin.

Ai solli në vëmendje modelin e vitit 2012, si një shembull të mirë i një procesi të hapur, ku Partia Socialiste, atëherë në opozitë, kishte ftuar kandidatë të shumtë për të konkurruar dhe kishte zhvilluar konsultime me mazhorancën për të arritur në një emër të përbashkët.

“Nuk mund të vini këtu dhe të thoni “o ky, o asnjë tjetër”. Zoti Peleshi, përpara tij edhe zoti Çuçi, më herët dhe unë si kryetar grupi, ua kemi thënë shumë herë: Hajde të ndërtojmë një proces të hapur dhe të drejtë”, nënvizoi Balla.

Ministri shpjegoi se është ndjekur një model i konsoliduar në Kuvendin e Shqipërisë edhe për zgjedhjen e institucioneve të tjera, ku opozita paraqet katër kandidatura, mazhoranca skualifikon dy, dhe dy emrat e mbetur i nënshtrohen votimit në Kuvend.

Ai theksoi se për zgjedhjen e Avokatit të Popullit kërkohen 84 vota, të cilat nuk janë të disponueshme në këtë legjislaturë, as në tjetrën.

“Prandaj bashkëpunimi është jo vetëm i dëshirueshëm, por i domosdoshëm”, tha Balla, duke kujtuar se mandati i Avokatit aktual të Popullit ka përfunduar tre vite më parë dhe se procesi për zëvendësimin e tij është zvarritur prej katër vitesh.

Duke iu referuar rastit të vitit 2017, ai theksoi se zgjidhjet janë të mundshme kur ekziston vullneti politik. “Nëse doni një marrëveshje si ajo e majit 2017, nuk ka asnjë problem, por kërkohet dialog”, tha ai.

Ministri Balla u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës të marrin përgjegjësinë që u takon në këtë proces.

“Prandaj mos e kërkoni përgjegjësinë te grupi parlamentar i Partisë Socialiste, por merrni përgjegjësinë që e keni shkaktuar vetë. Nuk keni dashur vetë ta zgjidhni Avokatin e Popullit”, tha Balla.