Zaptimi i hapësirave publike, Rama jep ultimatumin: Lirojini ose do përballeni me ligjin!

rama 4

Kryeministri Edi Rama u ka vendosur ultimatum bizneseve që të lirojnë sa më parë hapësirat publike të cilat shfrytëzohen prej tyre ose do të përballen me ligjin.

Në një videomesazh në rrjetin social Facebook, Rama bëri me dije se brenda dy javësh do të bëhet inventarizimi i të gjitha problematikave disavjeçare me hapësirat publike dhe nëse nuk lirohen gjatë kësaj periudhe, nuk do të ketë më asnjë tolerim ndaj abuzuesve.

Muajin që kemi para është domosdoshmëri që deputetët të rikthehen në territor për të mbledhur përfundimisht të gjitha shqetësimet e qytetarëve, me fokus të veçantë te hapësira publike, e cila është kthyer në një hapësirë ku ka shumë abuzivizëm, ka shumë zgjerim të paarsyeshëm të aktiviteteve të ndryshme dhe ku ka gjithfarëlloj trarësh e pengesash të krijuara, që pengojnë seriozisht frymëmarjen e qetë të komuniteteve në blloqet e banimit.

Brenda dy javësh duhet të kemi inventarin e të gjithë zonave në këto qytete, e të gjithë kleçkave që u kanë nxirë jetën banorëve dhe që i kanë kthyer territore të tëra në ‘tokë e zanun’ në mënyrë të padrejtë. Që të bëhemi gati dhe në dyjavshin e dytë të korrikut do vazhdojmë pa u ndalur me gjithë forcat e ligjit, inspektoratet, forcat e policive bashkiake e të shtetit për ta ngritur një herë mirë në hava këtë shtëpinë tonë të përbashkët”, deklaroi Rama.

Rama evidentoi si më problematike qarqet e Vlorës, Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit dhe Shkodrës.

Duke u ndalur kryesisht në qarkun e Vlorës, aty ku dhjetëra drejtorë dhanë dorëheqjen një ditë pas takimit të Ramës me kryebashkiakun Ermal Dredha, kryeministri deklaroi se strukturat përkatëse kanë anashkaluar detyrat e tyre dhe kjo, sipas tij, është e patolerueshme.

Deputetët së bashku me drejtuesit e përgjegjësit e sektorëve të ndryshëm në bashki do shikojnë dhe çështje të tjera që i kanë parasysh, do jenë dy javë intensive e më pas do rikthehemi për të vendosur në favor të komunitetit sepse është bërë e padurueshme dhe e papranueshme për shumë njerëz e lagje në qytetet e mëdha, ushtrimi i forcës, symbyllja e strukturave përkatëse. Është krejtësisht evidente dhe e pajustifikueshme në Vlorë”, theksoi ai.

Kreu i qeverisë u shpreh se ka përfunduar epoka ku ndërtuesit e pallateve e bizneset e trajtojnë pronën publike, si private.

Dua të sqaroj dhe një element tjetër. Dua t’u bëj thirrje atyre që kanë keqkuptuar prej vitesh sensin e pronës së përbashkët dhe asaj private. Kam parasysh zhvilluesit, ndërtuesit e pallateve, që pasi kanë ndërtuar pallatet, e ata që kanë lokalet në pallate, trajtojnë pronën përreth si pronë private”, u shpreh ai më tej.

Kryeministri nuk la pa i dërguar dhe një mesazh deputetëve të tij, të cilët nuk kanë qenë aktiv në mandatin e tretë, që të zbresin në terren për të prekur nga afër të gjitha shqetësimet e komuniteteve.

“Nëse disa brenda nesh i shohin 83 mandatet si një arsye për të fjetur gjumë, u them që e kanë gabim e të zgjohen një orë e më parë.

U bëj thirrje dhe një herë atyre që janë keqkuptuar, dhe fatkeqësisht ia kanë dalë të bëjnë para e fitime në dëm të komuniteteve, që të mbledhin plaçkat, sepse boll është boll”, theksoi ai.