Zaçaj: Vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme, jo këshilluese. Gonzato: Zbatimi i tyre forcon besimin te drejtësia
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, theksoi se vendimet e këtij institucioni janë të detyrueshme për zbatim dhe çdo përpjekje për t’i vënë në diskutim përbën rrezik serioz për rendin kushtetues dhe besimin në drejtësi. Deklaratën Zaçaj e bëri gjatë aktivitetit “Udhërrëfyesit e Jurisprudencës në Gjykatën Kushtetuese”, ku theksoi se zbatimi i vendimeve nuk është çështje vullneti, por detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.
“Është po aq e rëndësishme të nënvizohet se autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike. Mos të harrojmë – Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t`u zbatuar—ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet. Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetë Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit, i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm të respektojnë vendimet e Gjykatës por edhe të veprojnë në shina kushtetuese”, tha Zaçaj.
Zaçaj paralajmëroi se veprimet jashtë kuadrit kushtetues nga institucionet, përfshirë edhe ato gjyqësore, minojnë legjitimitetin e sistemit ligjor dhe përbëjnë rrezik për shtetin e së drejtës.
“Kjo vlen gjithashtu për te mbajtur në vëmendje se kur institucionet përfshirë edhe ato gjyqësore krijojnë konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues – kjo minon vet legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut. Prandaj, është e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtetet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur”, tha ajo.
Nga ana tjetër, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se dialogu institucional dhe zbatimi i vendimeve të formës së prerë janë thelbësore për një sistem drejtësie që gëzon besimin e qytetarëve dhe përparon drejt standardeve evropiane.
“Drejtësia jo vetëm duhet të jepet, por edhe të duket që po jepet. Drejtësia duhet të arrijë te qytetarët, duhet ta kuptojnë, të kenë besim, dhe vetëm duke patur këtë besim mund ta shohim integrimin në BE si një mundësi për të arritur më shumë”, tha Gonzato.
