“Wish You Were Here” 50 vjet më pas, Pink Floyd dominon klasifikimet
Gjysmë shekulli pas publikimit të parë, legjenda e rock-ut progresiv, Pink Floyd, rikthehet të dominojë tregun muzikor, duke dhënë një leksion të vërtetë jetëgjatësie artistike.
Ribotimi special për 50-vjetorin e albumit ikonik “Wish You Were Here” ka debutuar direkt në vendin e parë në listat e albumeve më të shitura, duke kryesuar njëkohësisht edhe shitjet në formatet fizike: CD, vinile dhe kaseta, sipas të dhënave zyrtare të Fimi/Niq.
Çfarë përmban kutia e “thesarit”?
Ky rikthim në majë nuk është i rastësishëm. Seti i ri është një “minierë ari” për audiofilët dhe koleksionistët. Ai përfshin albumin origjinal të vitit 1975 me një miksim të ri Dolby Atmos nga James Guthrie, si dhe 25 këngë bonus (nga të cilat 6 të papublikuara kurrë më parë). Pjesë e paketës janë edhe 16 këngë “bootleg” të regjistruara nga Mike Millard, të cilat janë rimasterizuar me mjeshtëri nga Steven Wilson.
Pavarësisht dominimit të Pink Floyd, skena muzikore (kryesisht ajo italiane) mbetet shumë aktive. Vendi i dytë i takon reperit Gemitaiz me albumin e ri “Elsewhere”. Ky projekt shënon rikthimin e tij dhe paralajmëron një sezon të nxehtë festivalesh, duke sjellë bashkëpunime me emra si Salmo, Neffa, Coez dhe MadMan.
Në vendin e tretë debuton Paky me “Gloria”, një album që kritika e vlerëson si një evolucion nga stili intim në një rrëfim më kolektiv, i mbështetur nga një “ushtri” bashkëpunëtorësh si Guè, Sfera Ebbasta, Shiva dhe Tedua.
Lëvizjet e tjera në Top 10
Klasifikimi vazhdon me Olly-n, i cili me albumin “Tutta Vita (sempre)” tregon një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, duke qëndruar në listë për 60 javë rresht. Ndërkohë, Ultimo pëson një rënie në vendin e pestë me albumin e tij live, i ndjekur nga Sfera Ebbasta me “XDVR Anniversar10” dhe Emis Killa që zbret në vendin e shtatë.
Dhjetëshja e parë mbyllet me reperin veteran Noyz Narcos, talentin e ri Kid Yugi dhe, siç e do tradita e dhjetorit, me Michael Bublé dhe albumin e tij të përjetshëm “Christmas”.
Mbretëresha e Krishtlindjeve
Nëse tek albumet kemi një betejë brezash, tek këngët (singles) situata është e qartë. Mbretëresha e festave, Mariah Carey, mbetet e palëkundur në krye me hitin e pavdekshëm “All I Want for Christmas Is You”, duke konfirmuar se dhjetori i përket asaj.
