Vritet djali i ish-diktatorit libian Muamar Gaddafi, mediat: U ekzekutua në kopshtin e shtëpisë gjatë luftimeve në Zintan
Saif al-Islam Gaddafi, djali i ish-diktatorit libian Muamar Gaddafi dhe figura që prej vitesh konsiderohej si pasardhësi i mundshëm politik i tij, raportohet i vdekur. Lajmi është konfirmuar pasditen e sotme (3 shkurt 2026) nga burime të shumta mediatike në Libi dhe rajon, pas përleshjeve të ashpra në qytetin e Zintanit.
Sipas televizionit “Al Arabiya”, i cili citon burime të afërta me familjen Gaddafi, Saif al-Islam është vrarë gjatë një bastisjeje të dhunshme. Raportohet se katër persona të armatosur kanë hyrë në perimetrin e banesës së tij dhe e kanë qëlluar atë ndërsa ndodhej në kopshtin e shtëpisë. Autorët janë larguar me shpejtësi menjëherë pas sulmit, duke e lënë atë të plagosur rëndë, plagë të cilave nuk u ka mbijetuar.
Kaos dhe luftime
Vrasja vjen në sfondin e një pasditeje të përgjakshme në zonën e Zintanit dhe shkretëtirës së al-Hamada. Mediat raportojnë se për orë të tëra ka pasur shkëmbime zjarri dhe përleshje të armatosura midis milicive lokale dhe grupeve besnike të ish-regjimit të Gaddafit.
Fillimisht, lajmi u dha nga kanali libian “al-Ahrar” dhe agjencia zyrtare e lajmeve, të cilat cituan këshilltarin e tij, Abdullah Othman, por pa specifikuar rrethanat. Megjithatë, burimet e mëvonshme konfirmuan se nuk bëhej fjalë për vdekje natyrale, por për ekzekutim.
Fundi i një epoke
Saif al-Islam ishte një nga figurat më përçarëse, por edhe më me ndikim në Libinë pas vitit 2011. I kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) për krime kundër njerëzimit, ai kishte arritur të mbijetonte në kaosin libian, duke u parë nga disa fraksione si njeriu që mund të ribashkonte vendin. Vdekja e tij shënon fundin e shpresave për rikthimin e dinastisë Gaddafi në pushtet.
