Vrasja me çekiç në Fushë-Krujë, autori: Nuk doja ta bëja, isha nën efektin e alkoolit

Vrasja me çekiç

Një ditë pas vrasjes së 57-vjeçarit Petrit Ndou gjatë një konflikti për motive të dobëta në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, autori i dyshuar, 28-vjeçari Andri Vokrri, ka shprehur pendesë për ngjarjen e rëndë.

Pas rimarrjes në pyetje nga policia, Vokrri ka deklaruar se nuk kishte qëllim të vriste Ndoun. Ai ka theksuar se gjatë konfliktit ndodhej nën efektin e alkoolit dhe nuk arrin të kujtojë qartë se çfarë ndodhi.

“Nuk mbaj mend saktësisht. Isha i dehur dhe kujtoj vetëm që pash një makinë që më kishte zënë rrugën. I kërkova që të largohej dhe të kaloja i pari, pasi mund të bënim aksident. Nuk më dëgjoi dhe kaluam paralel. Kur pash që makina u fërkua, dola dhe e godita me çekiç. Nuk doja ta vrisja,” ka deklaruar Vokrri.

Ndërkohë, dy shokët e tij, Lorenc Goga dhe Fation Kulla, të arrestuar për moskallëzim krimi, kanë pranuar se u larguan menjëherë nga vendngjarja, të frikësuar nga situata.

Si ndodhi ngjarja

Një konflikt për motive të dobëta në aksin rrugor “Thumanë-Krujë” u përshkallëzua në një ngjarje të rëndë gjatë orëve të para të mëngjesit të 20 janarit.

Viktima, 57-vjeçari Petrit Ndou, u përfshi në një debat me autorin e dyshuar, 28-vjeçarin Andri Vokrri, ndërsa po qarkullonte me makinën e tij.

Konflikti verbal eskaloi dhe Vokrri e goditi Ndoun me çekiç në kokë, duke i shkaktuar vdekjen. Autoritetet arrestuan Vokrrin dhe dy dëshmitarë që nuk kallëzuan ngjarjen.