Vrasja e një gruaje, Trump mbron agjentin e imigracionit: Ishte për vetëmbrojtje!

Trump mbron agjentin

Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë pas ngjarjes në Minneapolis, duke e përshkruar incidentin si “tmerrës për t’u parë” dhe duke mbrojtur veprimin e agjentit të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave, ICE si akt vetëmbrojtjeje.

Ai akuzoi gjithashtu “E Majtën Radikale” për sulme të përditshme ndaj forcave të rendit dhe agjentëve federalë, ndërsa premtoi mbështetje të plotë për oficerët e ICE-së. Autoritetet federale thanë se agjenti u detyrua të qëllonte pasi makina iu afrua në mënyrë të rrezikshme dhe gruaja rezistoi urdhërat.

Sipas mediave, viktima është Renee Nicole Good, 37-vjeçare, nënë e tre fëmijëve dhe shtetase amerikane nga Kolorado. Pamjet video tregojnë agjentët që i kërkojnë gruas të zbresë nga makina e ndalur në rrugë dhe më pas qëllojnë tre herë.

SUV-i përplaset me një makinë të parkuar dhe më pas me një shtyllë ndriçimi. Gruaja u dërgua në spital, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

Kryetari i Bashkisë së Minneapolisit, Jacob Frey, e quajti ngjarjen “përdorim të pamatur të forcës” dhe kërkoi largimin e agjentëve federalë nga qyteti.

Guvernatori i Minnesotës, Tim Walz, kritikoi ashpër administratën Trump dhe e cilësoi incidentin të shmangshëm.

Deputetja Ilhan Omar theksoi se viktima ishte një “vëzhguese ligjore” në operacionin masiv të ICE-së. Qindra protestues u mblodhën në zonë për të shprehur zemërimin dhe shqetësimin.

Ngjarja ndodhi vetëm disa blloqe larg vendit ku pesë vite më parë George Floyd u mbyt brutalisht nga një polic.