Vllaznia synon gjysmëfinalen / Kuqeblutë presin Bylisin për kupë, Martini paralajmëron rotacion
Vllaznia rikthehet sërish në “Loro Boriçi”, por këtë herë për një tjetër objektiv: Kupën e Shqipërisë.
Kuqeblutë presin Bylisin të mërkurën në orën 16:30, në ndeshjen e kthimit të çerekfinales, pasi në takimin e parë në Ballsh kanë fituar minimalisht 1-0.
Me avantazhin e krijuar në transfertë, skuadra shkodrane synon të administrojë rezultatin dhe të sigurojë kalimin në gjysmëfinale.
Megjithatë, trajneri Edi Martini ka paralajmëruar ndryshime në formacion.
Tekniku kuqeblu thekson se ndaj Bylisit do të ketë rotacion, duke lënë pushim disa prej titullarëve për të shmangur ngarkesën fizike para përballjes së rëndësishme në kampionat ndaj Flamurtarit.
Optimist për kualifikimin është shprehur edhe Charles Bismark, i cili beson se skuadra do të ruajë përqendrimin dhe do të mbyllë me sukses këtë fazë të Kupës.
Ndërkohë, në çerekfinalet e tjera do të përballen Partizani-Elbasani, Dinamo-Tirana dhe Egnatia-Teuta, në një fazë që pritet të prodhojë duele të forta dhe emocione deri në fund.
Për Vllazninë, objektivi mbetet i qartë: vijimi i rrugëtimit drejt një tjetër trofeu këtë sezon.
