Vllaznia, pa lëvizje në janar / Kuqeblutë po mbështeten te grupi aktual për startin e pjesës së dytë të sezonit

vllazniaaaaaaa

Pavarësisht hapjes zyrtare të merkatos së janarit, te Vllaznia situata mbetet e “ngrirë”, për shkak të bllokimit të merkatos nga FIFA si pasojë e detyrimeve të prapambetura ndaj ish-futbollistëve.

Aktualisht, klubi shkodran ka katër çështje të hapura në gjyqet e FIFA-s, ndërsa i vetmi rast i zgjidhur plotësisht është ai i Marko Juriç.

 Kjo situatë e pamundëson Vllazninë të kryejë lëvizje konkrete në merkato, edhe pse interesi për emra si Kevin Dodaj apo Redon Xhixha ka ekzistuar.

Kontakti ka mbetur vetëm në nivel informues, pa mundësi formalizimi, deri në zgjidhjen e bllokimit.

Në këto kushte, 9 herë kampionët e vendit do ta nisin pjesën e dytë të sezonit duke u mbështetur te grupi aktual, i cili ka qenë protagonist në dy fazat e para të “Abissnet Superiore”.

Një situatë që, sipas burimeve pranë klubit, nuk shihet me shqetësim, pasi besimi te potenciali i skuadrës mbetet i lartë. Gjithsesi, drejtuesit kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjeve ligjore, për të shmangur sanksione të tjera dhe për të menduar për sezonin e ardhshëm.

Një lajm pozitiv për kuqeblutë është rikuperimi thuajse i plotë i grupit. Pas dy sezonesh të vështira të shoqëruara me dëmtime të shumta, aktualisht gjendja fizike e skuadrës konsiderohet optimale. Futbollistë si Qato, Kallaku dhe Balaj janë rikthyer në formën e tyre më të mirë. Qato u rikthye në fund të vitit 2025 pas një dëmtimi dy mujor, ndërsa dyshja Kallaku–Balaj ka luajtur me sakrificë javët e fundit, por tashmë është plotësisht e gatshme.

I vetmi futbollist që vijon rikuperimin është Kristian Dros. Mesfushori moldav pritet të rikthehet në dispozicion të trajnerit Edi Martini në mesin e muajit janar.

 Dros mungon që nga java e 6-të, në ndeshjen ndaj Elbasanit. Stafi teknik po tregohet i kujdesshëm për të shmangur rikthimin e problemeve fizike, një element që ka penalizuar skuadrën në të shkuarën.

Ndërkohë, minifaza përgatitore në Ulqin po mbyllet dhe Vllaznia bëhet gati të startojë vitin 2026 me ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.

 Kuqeblutë do të presin Pogradecin të shtunën, në “Loro Boriçi”, në orën 16:00, për sfidën e vlefshme për fazën 1/8 finale.