Vllaznia nis vitin 2026 me kupën / Kuqeblutë presin në fundjavë Pogradecin në “Loro Boriçi”
Viti i ri për skuadrat e elitës së futbollit shqiptar do të hapet me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe jo me kampionatin.
Shorti ka vendosur që Vllaznia të përballet me Pogradecin në turin e 1/8-ve, duke e bërë ekipin liqenor “pengesën” e parë të shkodranëve për vitin 2026.
Statistikat në këtë kompeticion flasin pozitivisht për 9 herë kampionët e vendit. Në pesë sezonet e fundit, Vllaznia ka treguar seriozitet dhe ambicie maksimale në Kupë. Në sezonin 2024–25 u eliminua në gjysmëfinale nga Dinamo, e cila më pas fitoi trofeun, ndërsa në sezonet 2023–24 dhe 2022–23 u ndal në të njëjtën fazë nga Egnatia, që gjithashtu u shpall fituese e Kupës. Nga ana tjetër, kuqeblutë kanë triumfuar në edicionet 2021–22 dhe 2020–21, duke fituar trofeun respektivisht ndaj Laçit (2–1 pas kohëve shtesë) dhe Skënderbeut (1–0), çka dëshmon qartë përkushtimin e vazhdueshëm në këtë kompeticion.
Ndeshja e parë e vitit 2026 për Vllazninë do të luhet ditën e shtunë, në orën 16:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, ku shkodranët do të presin Pogradecin. Edhe pse prioriteti kryesor mbetet kampionati, Kupa e Shqipërisë nuk nënvlerësohet aspak nga kuqeblutë, të cilët synojnë një nisje sa më pozitive të vitit të ri.
Duke pasur parasysh edhe sfidën shumë të rëndësishme ndaj Egnatias në javën e 19-të të kampionatit, pritet që ndaj Pogradecit trajneri Edi Martini të aktivizojë disa futbollistë që nuk kanë pasur shumë minuta këtë sezon, si edhe elementë të rinj nga akademia. Ky duel shihet si një mundësi për ta, për të treguar vlerat dhe për të fituar besimin e stafit teknik për gjysmën e dytë të sezonit.
Pogradeci, nga ana tjetër, po zhvillon një kampionat pozitiv në Kategorinë e Parë dhe synon ngjitjen në Superiore, çka e bën përballjen një sfidë që kërkon vlerësim maksimal. Megjithatë, Vllaznia synon ta zgjidhë sa më shpejt ndeshjen dhe të hedhë një hap të sigurt drejt objektivit për të shkuar sa më larg në Kupën e Shqipërisë.
