Vllaznia, nga kreu në ndjekje / Shifrat nxjerrin në pah pikat e forta dhe dobësitë e kuqebluve në 18 javë
Vllaznia e Shkodrës e ka mbyllur gjysmën e parë të sezonit të rregullt në Kategorinë Superiore në vendin e katërt të renditjes, me 30 pikë të grumbulluara pas 18 javësh kampionat.
Kuqeblutë kanë realizuar 24 gola, duke u renditur si sulmi i dytë më i mirë i kampionatit, pas Dinamos që numëron 27 realizime.
Nga ana tjetër, mbrojtja e shkodranëve renditet e pesta në Superiore, me 16 gola të pësuar në 18 raunde të edicionit 2025–2026. Një vështrim më i detajuar i statistikave tregon se 19 nga 30 pikët totale janë siguruar në fazën e parë të kampionatit, periudhë në të cilën Vllaznia kryesonte renditjen.
Në fazën e dytë, skuadra ka marrë vetëm 11 pikë, me dy fitore, duke rënë në ndjekje të Egnatias kryesuese, e cila aktualisht ka 7 pikë më shumë se 9 herë kampionët e vendit.
Një nga pikat më të forta të skuadrës së drejtuar nga Edi Martini mbetet “Loro Boriçi”. Nga 30 pikët e grumbulluara, 22 janë marrë në ndeshjet shtëpiake, ku Vllaznia ka shënuar 17 gola dhe ka pësuar vetëm 6.
Deri më tani, kuqeblutë kanë vetëm një humbje në shtëpi, atë 0-1 ndaj Teutës në javën e 13-të, ndërsa janë ekipi më i mirë përsa i përket ndeshjeve si pritës, përpara Dinamos dhe Egnatias që kanë nga 18 pikë.
Ndryshe paraqitet situata në transfertë, që mbetet pika më e dobët e Vllaznisë këtë sezon. Në 9 ndeshje jashtë Shkodrës, kuqeblutë kanë grumbulluar vetëm 8 pikë nga 27 të mundshme, kanë shënuar 7 gola dhe kanë pësuar 10.
E vetmja fitore në transfertë është ajo 0-1 ndaj Bylisit, në javën e 7-të të kampionatit.
Këto shifra pasqyrojnë qartë uljet dhe ngritjet e Vllaznisë gjatë gjysmës së parë të sezonit.
Nga kryesuese, skuadra shkodrane është shndërruar në ndjekëse, me objektivin për të rikuperuar terren dhe për të rivalizuar sërish për kreun në pjesën e dytë të edicionit, që do të luhet në vitin 2026.
