Vllaznia në Ligën e Konferencës / “Mjeshtri i Madh” Besnik Çinari: Kam besim te kuqeblutë!

Skuadra e Vllaznisë është në përgatitjet intensive për përballjen e parë të turit të parë të UEFA Europa Conference League, ku do të përballet me ekipin letonez FC Daugavpils. Kuqeblutë janë aktualisht në Slloveni, ku po zhvillojnë fazën përgatitore, për të rritur formën fizike dhe për të krijuar kohezion në prag të sfidave europiane.
Deri tani, skuadra ka zhvilluar dy ndeshje miqësore: një humbje 3-5 ndaj Koper dhe një fitore 1-0 kundër UTA Arad.
Këto duele kanë shërbyer si test për trajnerin Edi Martini, që po punon për ndërtimin e një formacioni të qëndrueshëm dhe kompetitiv për arenën ndërkombëtare.
Ndeshja e parë zyrtare do të zhvillohet më 10 korrik në Shqipëri, në stadiumin “Elbasan Arena”, që është zgjedhur si fusha pritëse e kuqebluve për këtë tur, ndërsa ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Letoni.
Për këtë sfidë, nuk mungojnë edhe mesazhet mbështetëse për ekipin shkodran. Mjeshtri i Madh Besnik Çinari, një ndër figurat më të dashura të Shkodrës, shpreh optimizëm për suksesin e ekipit ndonëse nuk do të luhet në “Loro Boriçi”.
Mbështetja e tifozëve kuqeblu pritet të jetë e madhe, pavarësisht distancës nga Shkodra, pasi emocionet e një ndeshjeje europiane janë gjithmonë të veçanta për komunitetin shkodran dhe jo vetëm.