Vllaznia mundet nga Deçiq në miqësore / Martini: Jam shumë i kënaqur me skuadrën

Skuadra e Vllaznisë ka zhvilluar miqësoren e parë serioze në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.
Ndeshja u luajt në Tuz përballë skuadrës malazeze Deçiq, që gjithashtu do të jetë pjesëmarrëse në këtë kompeticion europian.
Përballja përfundoi me fitoren minimale 1-0 të vendasve.
Trajneri Edi Martini e nisi sfidën me Qarrin në portë, ndërsa në mbrojtje aktivizoi Pusin, Jazxhin dhe Bajramin. Mesfusha përbëhej nga Kruja, Hakaj, Krymi dhe Sala, ndërsa sulmi iu besua Delajt, Dodajt dhe Balajt.
Në pjesën e dytë u kryen zëvendësime të shumta, për të testuar të gjithë kontigjentin.
Pikërisht në momentin kur shkodranët kishin marrë kontrollin e lojës, erdhi goli i vetëm i takimit, që i dha fitoren ekipit të Deçiqit.
Megjithatë, trajneri Martini u shfaq mjaft pozitiv pas sfidës.
Vllaznia pritet të zhvillojë edhe një miqësore tjetër të shtunën, përpara se të nisë fazën përgatitore jashtë vendit.
Me shumë mundësi, destinacioni do të jetë Sllovenia.